Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit ku kryeministri Kurti po raporton për dialogun me Serbinë dhe takimit e 27 shkurtit në Bruksel, ka thënë se neni 7 i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është shumë problematik.
Krasniqi ka thënë se ky nen është shumë më problematik sesa ai që flet për Asociacionin.
“Neni 7 është jashtëzakonisht problematik. Shumë më problematik se neni 10 që flet për Asociacionin. Është e vërtetë Asociacioni është obligim i shoqëruar dhe si i tillë do të kishte kuptim në kuadër të një marrëveshje finale që e sjell njohjen e ndërsjellë. Nuk po e akuzojmë që e ka sjellë kryeministri. Nuk ka lidhje pse i ndërron fjalët. I ka ndërru fjalët për 100 sende, ky edhe për këtë që e ka ndërru fjalët nuk është fundi i botës. Por, neni 7 nuk flet për kompetenca të qeverisjes lokale sepse këto i kanë komunitetet e Kosovës, bazuar në pakon e Ahtisarit. Nuk flet as për kornizën vetëqeverisjes lokale sepse në draftin e kaluar ka qenë i theksuar kjo konventë kornizë”.
“Sot thotë për instrumentet e Këshillit të Evropës. Por, unë po besoj me qëllim sepse e konsideroj pak më inteligjent se që u tregu kryeministri, me qëllim harroi me thënë fjalinë pasuese pas instrumenteve të KE-së. Kjo fjali thotë instrumentet dhe bazuar në përvojat evropiane bazuese. Cilat janë këto përvoja. Nuk po të akuzoj kryeministër që je tu bo tradhti, por po them që është marrëveshja e keqe në këtë pikë. Ky nen rrezikon me sjellë një autonomi politike dhe substanciale”.
“Neni 7 është shumë më problematik se që po thua. S’ka të bëjë vetëm me atë kornizë”, tha Krasniqi.