28 September
Duhet të priten zgjedhjet në tetor dhe të shihet nëse Qeveria e re në Shkup do ta përforcojë pozitën e vet në mënyrë që të mund të hyjmë në negociata më serioze për zgjidhjen e çështjes së emrit, deklaroi ministri i Jashtëm grek, Nikos Koxias në intervistën për televizionin nacional ERT.
Sipas Koxias, prapa problemit me emrin fshihet edhe problemi me irredentizmin tek fqinji verior. “Shpresoj dhe besoj se nga ana e tyre do të ndërmerren masa për kufizimin e irredentizmit”, thotë shefi i diplomacisë greke.
Për atë, siç thekson, në Nju-Jork ka biseduar me kolegun e tij nga Maqedonia, Nikolla Dimitrov, duke e vlerësuar si “personalitet jashtëzakonisht interesant”.
“U dakorduam të formojmë komision të përbashkët prej nëntorit të këtij viti, i cili në afat prej katër muajve di të duhet ta kryejë punën e vet – mënjanimin e irredentizmit nga librat shkollorë dhe hartat gjeografike nëto. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, ndërkaq pasojnë edhe hapa të tjerë për të cilët tashmë biseduam”, deklaroi Koxias.
I pyetur nëse është i mundur inkuadrimi i Maqedonisë në NATO dhe në BE pa zgjidhje të çështjes së emrit, Koxias thekson se është e domosdoshme së pari të mbyllet kjo çështje siç është paraparë edhe me Marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar në mesin e viteve të 90-ta.
“Vendi ynë fqinj, dhe theksoj, miqësor, sepse popujt tanë kanë marrëdhënie shumë miqësore, nuk mund të inkuadrohet në organizatat ndërkombëtare siç janë NATO dhe BE pa u zgjidhur çështje për emrin, që është paraparë edhe me Marrëveshjen e përkohshme. Mangësi e Marrëveshjes së përkohshme ishte ajo që parashihte që kontesti për emrin të zgjidhet shpejtë që do t’i mundësonte vendit fqinj të inkuadrohet në organizatat ndërkombëtare, por nuk parashihte se cilat masa të ndërmerren nëse nuk gjindet zgjidhje. Në të vërtetë, në dekadat e fundit nuk pati negociata thelbësore”, deklaroi Koxias.
Për shkrimet në mediuemt greke se propozimi i Athinës për zgjidhje të problemit është emri “Maqeodnia e Vardarit”, Koxias thotë se nga ana greke nuk janë dhënë kurfarë propozimesh, ndërsa shkrimet e publikuara në të cilat pohohet e kundërta i konsideron si interpretime të lira gazetareske.

