Gazetar: Adnan Qaili
Për inspektimet e jashtëzakonshme revizore në klinikat e shtetit, Ministria e Shëndetësisë i raporton Qeverisë, se ka gjetje për keqpërdorime, por ato dosje ekzekutivi nuk i procedon në prokurori ku dyshimet janë të mëdha për tërheqje të miliona euro nga fundi përmes terapive kundër kancerit. Kryeministri Kovaçevski përveç leksioneve se kush çka duhet të ndërmerr, thotë se raportet janë të disponueshme për të gjitha ato organe që ju intereson, por ata nuk kanë bërë asnjë kallëzim penale.
“Përderisa ka indicie për veprime të caktuara që janë të kundërligjshme, atëherë gjithë ato raporte janë në dispozicion për cilido organ hetues të shtetit. Qeveria së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë i shqyrton. Sa i përket asaj nëse dikush iu është përmbajtur ligjit apo jo, është përgjegjëse Prokuroria dhe jo Qeveria. Për në Onkologji, sa jam i informuar mendoj se atje prokuroria ka intervenuar. Megjithatë, tjetër është puna profesionale si doktor dhe krejt diçka tjetër të udhëheqësh institucionin, andaj ato duhet ndarë”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër
Pyetëm edhe në prokurori nëse këto indice do formojnë lëndë para hetimore, por nga atje thonë se nisma e vetme hetuar nga Onkologjia është denoncimi për ryshfet. Po ashtu pyetëm përse hetohet me prioritet një mito 100 euroshe në vend që të ndiqen gjurmët e dyshimeve për krim të organizuar financiar, nga organi hetues na thanë se akoma nuk ka denoncime të tilla në Prokurorin për Krim të organizuar dhe korrupsion dhe zërat në media nuk janë të mjaftueshme për të reaguar.
“Në Prokurorinë themelore publike Shkup nga Klinika e Onkologjisë është i hapur vetëm rasti i hetimit për ryshfet të infermierit ndaj pacientes me kancer. Deri të dielën, as në Prokurorinë kundër krim të organizuar dhe korrupsionit nuk ka denoncim për keqpërdorime financiare në Klinikën e Onkologjisë”, deklaruan nga Prokuroria Themelore Publike
Deri më tani, dorëheqjen e ka dorëzuar drejtori Onkologjisë Nikolla Vasev dhe drejtoresha e Pediatrisë Aspazija Sofianova. Përderisa nga detyra e drejtorit organizativ të Pediatrisë u shkarkua Alajdin Memedi, për dyshime të manipulimeve financiare, e njëjta nuk vlen për drejtorin organizativ të Onkologjisë. Sipas gjetjeve të inspektimeve, ditët e numëruara i kanë edhe drejtorët e dy klinikave tjera, për të cilat janë kërkuar raporte më të hollësishme në vërtetimin e fakteve në Klinikën e Pulmologjisë dhe Infektologjisë. /alsat.mk