Rrjetet sociale dhe platformat online janë kthyer në një hapësirë gjithnjë e më të rrezikshme për fëmijët. Hulumtimi i publikuar dje “Disrupting harm” në Maqedoninë e Veriut ka ngritur alarmin, pasi që rreth 12 000 fëmijë në vit rezultojnë të jenë pre e abuzimit seksual në internet. Pas këtyre shifrave, qëndrojnë histori fëmijësh që shpesh heshtin, nga frika, turpi apo kërcënimet e abuzuesve. Sociologu Ali Pajaziti thotë se problemi nuk mund të lihet vetëm te teknologjia, por kërkon përgjegjësi të përbashkët të familjes, shoqërisë dhe institucioneve. Sipas tij këto shifra përveç se janë alaramante janë edhe shumë trishtuese, prandaj ai apelon për më shumë kujdes dhe mbikqyrje të fëmijëve.
ALI PAJAZITI, SOCIOLOG
“Këto shifra, dmth 12000 fëmijë të abuzuar në platformat online dhe në mediat sociale janë alarmante, janë trishtuese për një qytetar, për një prind edhe si mësimdhënës, shikuar socioligjikisht shoqëria digjitale përveq se na ofron të mira të shumta, me vete sjell edhe atë fytyrën tjetër të cilën shumica e njerëzve nuk e mednojnë, kështu që hapi i parë i prindërve tanë të pavetëdijshëm është blerja e telefonit që është ndoshta e natyrshme për kohën, por mungon ajo që quhët prindërim racional i ndërgjegjshëm, pra kontrolli, biseda me fëmijët dhe përpjekja për të nxjerë të dhënat se çka frekuenon një fëmijë i cili nuk është plotësisht i vetëdijshëm se me kë komunikon”.
Sipas Pajazitit, një nga problemet kryesore është mungesa e prindërimit të ndërgjegjshëm në epokën digjitale. Ai thotë se telefoni blihet për fëmijën si pjesë e realitetit të sotëm, por shpesh mungojnë komunikimi, kontrolli dhe bisedat e hapura për atë që fëmija sheh dhe me kë komunikon. Në anën tjetër, profilet anonime dhe llogaritë fiktive mund të përdoren nga abuzues seksualë për të fituar besimin e fëmijëve, për t’i manipuluar dhe më pas për t’i kërcënuar.
Pajaziti thotë se pasojat mund të jenë të rënda. Nga presioni dhe shantazhi përmes fotografive e videove, deri te dëmtimi serioz psikologjik dhe, në rastet më të rënda, edhe rrezikimi i jetës së fëmijës. Por ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është heshtja. Fëmijët shpesh kanë frikë t’u tregojnë prindërve apo mësuesve se çfarë po u ndodh
ALI PAJAZITI, SOCIOLOG
“Këto raste mund të kenë efekte deri tek abuzimi fizik me atë fëmijë që është më katastrofalja, kushtëzimet e ndryshme prej personave përmes fotografive, videoeve kështu që fëmijën mund ta qojnë deri tek gjendja e ankthit, depresionit madje ka pasur raste edhe te akteve soicidale ose vetëvrasje duke pasur parasysh që fëmijët kanë drojë tu tregojnë prindërve, të bisedojnë me mësuesen të bisedojnë me një person më të moshuar se vetvetja e tyre sepse janë tabu tema këto tek ne”.
Pajaziti thotë se lufta ndaj abuzimit seksual online nuk mund të nisë vetëm pasi një fëmijë të jetë bërë viktimë. Ai kërkon masa parandaluese nga institucionet, zbatim të ligjeve dhe ndëshkim konkret për abuzuesit, ndërsa nga prindërit kërkon më shumë vëmendje, komunikim dhe kujdes ndaj jetës virtuale të fëmijëve.
ALI PAJAZITI, SOCIOLOG
“Për këtë arsye, instancat zyrtare, shteti, ministritë gjegjëse duhet që të ndërmarin masa preventive që të mos vie deri te rastet e këtilla, pra të ketë penalizime të personave që janë përfshirë në veprime të tilla të shëmtuara dhe veprime të abuzura me këtë kategori të qytetarëve minorene. Duhet ti zbatojë ligjet dhe ti ndjek normat e zbatuara nga shtetet e avancuara, të ketë penalizime konkrete jo të gjitha këto të futen nën tepihë ndërsa prindërit të vigjilojnë, të jenë më komunikues me fëmijët e tyre”.
Sepse në botën digjitale, një telefon mund të jetë dritare drejt botës por për një fëmijë të pambrojtur, mund të bëhet edhe dera përmes së cilës abuzuesit hyjnë në jetën e tij, theksoi sociologu Ali Pajaziti.
Medina Ajeti /SHENJA/



