Shqipëria përballet me një situatë alarmante, duke pasur nivelin më të ulët të të ardhurave për shtresën e saj më të varfër në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Një raport i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) zbulon se në vitin 2025, 20% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta në Shqipëri do të përfitojë vetëm 3.6% të totalit të të ardhurave pas taksave. Kjo përqindje e ulët tregon një shpërndarje të pabarabartë të të ardhurave, duke e lënë këtë grup në një pozitë të vështirë financiare.
Ky tregues mat se sa pjesë e të ardhurave totale merr një e pesta e individëve me të ardhurat më të ulëta, pas zbritjes së taksave dhe përfshirjes së transfertave sociale. Sa më e ulët të jetë kjo përqindje, aq më e vogël është ndihma që merr grupi më i varfër në krahasim me pjesën tjetër të shoqërisë.
Në Shqipëri, për çdo 100 lekë të ardhura të disponueshme, vetëm 3.6 lekë i takojnë 20% të individëve me të ardhurat më të ulëta, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë merr 96.4 lekë. Kjo tregon një diferencë të madhe në shpërndarjen e të ardhurave.
Ndërkohë, në Kosovë, një e pesta e popullsisë me të ardhurat më të ulëta përfiton 6.6% të totalit të të ardhurave pas taksave, duke treguar se pesha e të ardhurave për këtë grup është gati 1.8 herë më e lartë se në Shqipëri.
Edhe vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë një shpërndarje më të favorshme për grupin me të ardhurat më të ulëta, duke përfituar përkatësisht 4.4%, 4.3%, 4.1% dhe 4% të të ardhurave totale.
Pavarësisht se diferencat me disa vende janë më të vogla, Shqipëria mbetet e fundit në rajon përsa i përket pjesës së të ardhurave që shkon te shtresa më e varfër, duke theksuar nevojën për reforma të domosdoshme në politikën ekonomike.
Pesha e ulët e të ardhurave për 20% të popullsisë më të varfër është një tregues i rëndësishëm i pabarazisë ekonomike dhe i pozitës së dobët financiare të kësaj shtrese. Kjo situatë e bën atë veçanërisht të ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve dhe shpenzimeve të domosdoshme.
Një analizë më e thellë e situatës ekonomike duhet të marrë parasysh të ardhurat konkrete të familjeve, koston e jetesës dhe përqindjen e popullsës që jeton nën pragun e varfërisë. Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se grupi me të ardhurat më të ulëta në Shqipëri merr një pjesë më të vogël të të ardhurave totale se çdo vend tjetër në rajon, duke e bërë atë të papërgatitur për sfidat ekonomike që vijnë.
Ky tregues gjithashtu ngre çështjen e efektivitetit të politikave të rishpërndarjes së të ardhurave, duke përfshirë sistemin e taksave dhe transfertat sociale, pasi diferenca mbetet e lartë edhe pas përfshirjes së tyre në të ardhurat e disponueshme të popullsisë. /Monitor



