Shkruan: Xhevdet POZHARI
Problemi më i madh i Kosovës nuk është pse ajo nuk ka det dhe vende malore për skijime që ta zhvillojë turizmin. Madje, problemi parësor i Kosovës nuk janë as të papunët e as mungesa e zhvillimit industrial. Problemi më i madh i Kosovës është se këtë shtet në etablim e sipër e ka mbuluar injoranca politike si dhe e vërteta se është shumë shtet i vogël për të ushqyer aq shumë hajdut për tua plotësuar ambiciet aq shumë politikanëve mendjemëdhenj.
Për ata që kanë sy të shohin dhe mendje të vlerësojnë nuk është e vështirë që të kuptohet se problemi më i madh i Kosovës nuk është se a do zhbëhet gjykata Speciale, por si të ribëhen nga e para institucionet shëndetësore dhe arsimore të rrënuara të këtij vendi. Dhe se si nga një varrezë masive e shpresave rinore Kosova të bëhet atë që ishte dikur – vend i atdhedashurisë shqiptare.
Kosova e sotme nuk vuan pse ekonomikisht është vend i pazhvilluar, por ajo lëngon pse shumë nga ata që morën përsipër atë ta forconin si shtet i forcuan vetëm themelet e shtëpive të veta milionëshe. Kosova e sotme nuk i vuan gjithaq pasojat e një vendi të dalë nga lufta që shëron plagët që ia ka shkaktuar robëruesi shekullor, por ajo vuan edhe arrogancën e disa çlirimtarëve të djeshëm e politkanë të sotshëm të cilët vazhdojnë të sillen sipas parimit “ne ju çliruam, ne ju sundojmë”.
Për të gjithë ata që duan të shohin, është e qartë se Kosova e sotshme ka shumë probleme, por ai më madhori është se ajo ushqehet me injorancë politike dhe e jashtëqet mençurinë. Problemi më madhor i Kosovës së sotme është se atë e braktisin të mençurit dhe e lënë në duar të injorancës. E lënë në duar të atyre të cilëve po ua hoqe librezën partiake nuk i pranojnë në shtëpi as familjarët e vet. Po pra, ai që sheh, dëgjon e gjykon drejtë nuk ka nevojë për asnjë argument shtesë që ta kuptojë se pse në këtë Kosovë ata që e miratojnë themelimin e Gjykatës Speciale dhe tentojnë ta zhbëjnë atë këtë e bëjnë sepse duan ta sundojnë Kosovën dhe popullin e saj por nuk mund ta sundojnë injorancën e tyre politike si dhe bindjen se e mira e Kosovës është e barabartë me të mirën e tyre dhe familjarëve që kanë.
Andaj, sot nuk është ajri i ndotur problemi më madhor i Kosovës, por plehu politik që ia vështirëson frymëmarrjen qytetarëve të vet orë e çast.