Një valë e të ftohtit ka përfshirë edhe Korenë e Jugut, anulohen fluturimet
Autoritetet e Koresë së Veriut kanë paralajmëruar qytetarët për kushte ekstreme të motit në vend pasi një valë e të ftohtit ka përfshirë gadishullin Korean.
Temperaturat ka të ngjarë të ulen deri nën -30 gradë Celsius në rajonet veriore, të cilat janë gjithashtu pjesa më e varfër e vendit.
Sipas asaj që raportojnë mediat shtëtërore në zonat bregdetare pritet të ketë edhe erëra të forta. Ndërsa Koreja e Veriut është prekur nga moti ekstrem, pak dihet për ndikimin e motit të keq tek banorët.
BBC shkruan se energjia elektrike është e pazakontë jashtë kryeqytetit Phenian dhe familjet në këto vende djegin dru për ngrohje gjatë sezonit të dimrit.
Agjencia e lajmeve “Radio Free Asia” bëri me dije gjatë dhjetorit të vitit të kaluar se një numër i madh qytetarësh në vend ishin zhdukur për shkak të motiti të keq. Shumë prej tyre dyshohet se kanë ndërruar jetë nga uria dhe nuk kanë mundur të përballojnë temperaturat e ulëta.
Edhe Koreja e Jugut është përfshirë nga një valë e të ftohtit ku si pasojë qindra fluturime brenda dhe jashtë vendit janë anuluar ndërsa në pjesën veriore të Kinës janë shënuar temperatura rekord si pasojë e motit të ftohtë.
Klan News



