Sot bëhen 10 vjet nga vdekja e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili humbi jetën më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Me rastin e këtij përvjetori, gjatë ditës do të organizohen homazhe, konferencë për media, dhurim vullnetar i gjakut, ekspozitë dhe aktivitete të tjera përkujtimore në Prishtinë.
Aktivitetet nisin në orën 09:30 me homazhe te varri i Astrit Deharit, ndërsa në orën 11:00 do të mbahet konferencë për media para objektit të Prokurorisë Speciale. Në të njëjtën kohë, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, në rrugën “Behije Dashi”, do të organizohet dhurimi vullnetar i gjakut shkruan KosovaPress.
Në orën 11:30, në Amfiteatrin e Fakultetit të Mjekësisë, do të mbahet bashkëbisedim me brezat e rinj, ndërsa në orën 14:00 do të hapet ekspozita “Kujtimet e veprimtarisë së Astrit Deharit”, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Akademia përkujtimore do të mbahet në orën 17:30 në Kino ABC në Prishtinë, ndërsa në orën 18:30 do të ndizen qirinj te murali i Astrit Deharit.
Aktivitetet përmbyllen në orën 20:00 me natën përkujtimore “Astriti në kujtimet e shokëve dhe shoqeve”, në kafenenë “Retrovers”, afër Menzës së Studentëve në Prishtinë.
Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vdiq më 5 nëntor 2016, në moshën 26-vjeçare, derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në gusht të atij viti.
Vdekja e tij në paraburgim nxiti reagime dhe protesta, ndërsa rrethanat e rastit vazhduan të jenë objekt hetimesh dhe kërkesash për zbardhjen e së vërtetës.
Ekspertiza fillestare e institucioneve vendore e kishte cilësuar vdekjen si pasojë të asfiksisë së shkaktuar nga vetë ai, ndërsa ekspertiza e mëvonshme e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ngriti dyshime mbi këtë përfundim, duke mos përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një personi tjetër.
Në vitin 2019, hetimet për vdekjen e Deharit kaluan nga Prokuroria Themelore në Prizren te Prokuroria Speciale e Kosovës.
Familja Dehari ka kërkuar vazhdimisht zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së tij dhe vendosjen e përgjegjësisë për rastin.



