Vjollca Aliti
– Advertisements –
Me 16 vota për asnjë kundër dhe 14 të përmbajtur, Besar Durmishi nga lëvizja Besa u zgjodh kryetar i këshillit Komunal të Tetovës. Ndërkohë ende nuk ka një marrëveshje për koalicion në Tetovë mes partive që i dhanë mbështetje Durmishit.
“Na presin shumë punë, kemi shumë problem të trashëguara, por bashkërisht me ekipin punues dhe profesionistët do arrijmë që gjithë ata problem një nga një t’i zgjidhim”, deklaroi Besar Durmishi, Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.
Pos këshilltarëve të BDI-së, PDSH-së, LSDM-së përmbajtur votoi edhe këshilltari i vetëm i Alternativës, edhepse në koalicion me ASH-në. Ky i fundit nuk deshi të tregojë për votën e përmbajtur të tij.
“Ne si këshilltarë të BDI-së kemi 10 ulëse në këtë këshill, dhe ne do të përmbahemi. Të gjithë ato iniciativa që janë në të mirë të qytetarëve, do t’i përkrahim, do të jemi zëri i popullit”, u shpreh Blerim Osmani, Këshilltar i BDI-së.
“Nuk mund të themi se do ndahemi në pozitë dhe opozitë prej tani, nuk do e bëjmë këtë gjë. Do të punojmë për çdo çështje në mënyrë të posaçme. Sinqerisht, ajo për të cilën do mendojmë se është pozitive dhe e dobishme do ta përkrahim”, tha Ilija Dimitrievski, LSDM.
Dy këshilltarët e iniciativës qytetare “Më mirë për Tetovën” votuan pro zgjedhjes së kryetarit të ri të këshillit, megjithatë thanë se jo çdo propozim i këshillit do të merr përkrahjen e tyre të pa rezervë.
“ Ne do të përkrahim çdo vendim që është për të mirën e qytetit dhe do të kundërshtojmë çdo vendim që ne do e vlerësojmë se është në dëm të banorëve të Tetovës. Kjo nuk do të thotë se shumica apo vota jonë do të jetë gjithmonë pro çdo propozimit të udhëheqësish aktuale. Ne do ta vlerësojmë çdo pikë veç e veç”, deklaroi Elmedina Abdullahi, Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”.
Në seancën e sotme këshilltarët kundërshtuan vendimin për largimin e treguesve të shtigjeve për biçikleta duke thënë se heqja e tyre kontribuon në kaos edhe më të madh në komunikacion. Vendimin për largimin e mori kreu i Komunës së Bilall Kasami pasi të njëjtat sipas tij janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme./Alsat.mk


