Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Grudë e Re në Shkodër, u regjistrua një ngjarje e rëndë, ku u ekzekutua me armë zjarri në lokalin ku ishte ulur, punonjësi i Ujësjellës Kanalizimeve, Prekë Tonaj.
Vrasja e Tonajt tronditi të pranishmit në lokal, të cilët në momentin e ngjarjes nuk kanë reguar, pasi sikurse e thonë ata vetë, janë kërcënuar nga autori që të mos lëvizin nga vendi, pasi përndryshe do t’i ekzekutonte.
Autori e kishte planifikuar gjithçka me detaje, që nga hyrja në lokalin ku qendronte Tonaj, te mesazhi që i dha atij para se ta qëllonte për vdekje, e deri te largimi nga vendi i ngjarjes pa lënë asnjë gjurmë.
Deri më tani, autori është ende i paidentifikuar, ndërsa sipas grupit hetimor, rezulton se, vrasja ndaj Tonajt ka qenë e mirë planifikuar dhe një nga pistat për hetimin është edhe ajo e gjakmarrjes.
Por, cili ka qenë rrugëtimi i përplasjeve dhe vrasjeve mes tre fiseve në qytetin e Shkodrës, që nga përplasja e parë shumë vite më parë për votat në zgjedhje, e deri te vrasja e djeshme e Prekë Tonajt.
KRIMET E NJËPASNJËSHME MES TRE FISEVE NË SHKODËR:
Mësohet se vrasja e 47 vjeçarit vjen pas disa krimeve të ndodhura mes 3 fiseve ndër vite. Pal Ksolla ka vrarë Nikollë Tonaj në komunizëm në burg. Në vitin 1996 Ksolla u vra më pas nga Fisi Tonaj. Në 2011 dyshohet se nga fisi Hasanaj është vrarë Zek Tonaj dhe është plagosur babai i tij.
Zanafilla e konfliktit ka qenë për çështje votash në zgjedhje, por me pas janë konfliktuar në një urë në Dukagjin ku ka ndodhur edhe vrasja. Dje u vra Prekë Tonaj, ndërsa të dyshuarit kryesor janë fisi Ksolla. Tonaj ishte i treti nga vëllezërit e familjes që humbi jetën nga hakmarrja.
Dy vëllezër të Prekë Tonajt janë vrarë në dy episode të veçanta në fillim të viteve 90; njëri në Dukagjin të Shkodrës, tjetri disa vite më pas në burg. 47 vjeçari që mbeti viktimë e atentatit të sotëm në Grudë te re, në 2011 ishte ndaluar nga policia, së bashku me të atin Ndue Tonaj, asokohe 68 vjeç dhe nje person tjetër. Sipas njoftimit të policisë në atë kohe, ata po planifikonin vrasjen e hasmit të tyre, një pjesëtari të familjes Hasanaj në Shalë të Shkodrës.
Por zbulimi dhe parandalimi nga policia bëri që ky atentat të dështonte. 11 vite me pas, Prekë Tonaj qëllohet për vdekje në fshatin e tij. Policia bën të ditur se ka ngritur pika kontrolli për të kapur autorët. 47 vjeçari punonte në ndërmarrjen Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, ishte i martuar dhe baba i 4 fëmijëve. 47 vjeçari u qëllua me kallashnikov ndërsa ndodhej në tavolinë. Në pak sekonda, autori i maskuar doli nga lokali, jashtë të cilit e priste një bashkëpunëtor që e mori me makinë dhe u larguan.
“A E DI SE NA KE BORXH?”, MESAZHI I AUTORIT TË KRIMIT PARA SE TA QËLLONTE TONAJN PËR VDEKJE:
“A e di se na ke borxh”. Me këtë mesazh i është drejtuar autori 47-vjeçarit Prek Tonaj përpara se ta ekzekutonte me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e djeshme në një lokal në Shkodër. Sipas dëshmitarëve, autori, i cili ende nuk është identifikuar nga policia, hyri brenda lokalit duke i bërë thirrje personave të tjerë që të mos lëvizin, ose përndryshe do t’i vriste.
Policia ka bërë kontrolle të shumta por nuk ka arritur të gjejë autorin, ndërsa po vijon me hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. Në total në këto konflikte mes fiseve deri më tani numërohen 5 të vrarë.
SHOQËROHEN NË POLICI MË SHUMË SE 10 PERSONA, MERREN NË PYETJE FAMILJARËT E VIKTIMËS:
Më shumë se 10 persona janë shoqëruar nga Policia e Shkodrës në lidhje me vrasjen e 47-vjeçarit Prek Tonaj mbrëmjen e kaluar. Sipas Policisë, personat e shoqëruar kanë qenë present në lokalin ku u vra 47-vjeçari dhe mund të kenë dijeni për autorin.
Sipas dëshmive të mbledhura, në vendin e ngjarjes mësohet se autori ka hyrë i vetëm në lokal. Autori raportohet se mbante një kapele ndërsa i është afruar 47-vjeçarit Prek Tonaj, duke përmendur një emër, që sipas grupit hetimor mund të jetë emri mbi të cilin është kryer vrasja.
Gjatë ditës së sotme pritet që grupi hetimor të marrë në pyetje edhe familjarë të viktimës të cilët mund të hedhin dritë në lidhje me konfliktet e mundshme të Prek Tonajt.





