Rasti me akumulatorët ku duhej të hiqen taksat për prodhime të cilat i importon njëra nga kompanitë e zv/kryeministrit Koço Angjushev, e shfaqi nevojën e ndryshimit të Ligjit për konflikt interesash. Ekspertët paralajmërojnë se propozim-masa për import pa doganë të akumulatorëve të litium-jonit, në këtë formë siç është propozuar në seancë qeveritare është normale që t’i rrisë dyshimet për keqpërdorim të mundshëm dhe favorizim vetëm të kompanisë “Brako”. Sipas ish anëtares së komisionit për antikorrupsion, Vanja Mihajllovska, para miratimit të masave të këtilla qeveritare, duhet pasur kujdes që mos të favorizohet vetëm një kompani ose veprimtari e caktuar, por ato të përfshijnë më shumë degë dhe kompani.
Që të hiqet dyshimi, kjo masë duhet të përfshijë më shumë kompani, përkatësisht veprimtari me orientim drejt eksportit ose veprimtari që nuk gjenden dhe duam të nxisim hapjen e mundësive dhe tregjeve të reja, si dhe prodhime me vlerë të shtuar dhe në këtë mënyrë të mos krijohet dyshimi se masa i dedikohet dikujt- deklaroi Vanja Mihajllova – ish anëtare e anti-korrupsionit.
Mihajllova thotë se masa e propozuar nuk është e paligjshme, por se tregon qartë se ka nevojë absolute për ndryshim si në rregullativë ashtu edhe në trupat rregullator të cilët me sukses do të kontrollojnë që të mos mundet një politikan i caktuar që ka kompani të ndikojë në marrjen e vendimit vetëm në dobi të fitimit të tij. Ndërkohë zv/kryeministri Angjushev thotë se nuk sheh konflikt interesash në propozim-masën për import pa doganë të akumulatorëve të litium-jonit.
Të gjitha kompanitë në Maqedoni patjetër të punojnë sipas ligjit dhe për asnjë kompani të mos ketë lehtësime, përfshirë edhe kompanitë ku unë jam pronar dhe aty nuk kam kontroll mbi menaxhimin e tyre- tha Koço Angjushev, zv/kryeministër për çështje ekonomike.
Nga ana tjetër tashmë po bëhen analiza se çfarë konkretisht duhet të ndryshohet në Ligjin për konflikt interesash që të shmangen manipulimet dhe mundësia që personat e fuqishëm në politikë, lehtë përmes tenderëve të ndryshëm dhe masave qeveritare të arrijnë deri në fitim ose ndonjë interes tjetër.
Verica Pavlovska

