9 Dhjetor 2018 / 16:26
Kanceri i gjirit më i përhapur është te gjinia femërore por, me këtë sëmundje mund të preken gjithashtu edhe meshkujt. Për shumë njerëz kjo mund të duket e çuditshme prandaj mjekët onkolog rekomandojnë që edhe meshkujt të kryejnë kontrolle të rregullta të indit të gjirit. Sipas onkologes Vjollca Skënderi, shenjat dhe simptomat e kancerit të gjirit te meshkujt mund të përfshijnë një gungë pa dhimbje ose trashje të indit të gjirit. Siç shprehet ajo, në përgjithësi meshkujt me kancer gjiri paraqiten te mjeku në stade më të avancuara se gratë.
Do të thotë edhe tek ata paraqitet masë tumuroze e cila mund të preket, është e fiksuar për indin e gjirit, edhe tek ata mund të vërehet skuqje e lëkurës, tërheqje e thithit të gjirit, rrjedhje nga thithi në formë të sekrecionit të përgjakur, në përgjithësi janë simptomat e njëjta sikurse te femrat por, meshkujt për dallim nga femrat sikur i anashkalojnë këto simptomat dhe nuk paraqiten menjëherë në mjek prandaj më shpesh kemi stade të avancuara të kancerit të gjirit te meshkujt”- pohoi Vjollca Skënderi, onkologe.
Në varësi të llojit të tumorit, trajtimi i kancerit të gjirit te meshkujt është i njëjtë me atë të gjinisë femërore. Mund të jetë kirurgjikal, me radioterapi, kimioterapi ose i përzier sipas rastit. Onkologja Vjollca Skënderi madje shton se mosha më e prekur me këtë sëmundje është ajo mbi 50 vjet.
Rrallë mund të takojmë pacient mashkull që në moshë 35 vjeçare është i prekur nga kanceri i gjirit. Edhe te meshkujt vlen rregulla, me rritjen e moshës rritet mundësia e paraqitjes të kancerit dhe mosha mbi 50 vjeçare është moshë kur pritet të ketë kancer të gjirit dhe atë te meshkujt në qoftë se ka risk faktor, faktor të riskut numërohen anamneza familjare pozitive, në qoftë se në familje nëna, tezja ka pas kancer të gjirit ka gjasë që të trashëgohet edhe te anëtari mashkull i familjes, te djali domethënë”- u shpreh Vjollca Skënderi, onkologe.
Gjithashtu, si faktorë të tjerë të mundshëm për paraqitjen e kancerit të gjirit te meshkujt është sindroma “Klinefelter” dhe përdorimi i tepër i alkoolit. Madje, disa studime të fundit kanë treguar se një tjetër faktor i lartë rreziku është obeziteti për faktin se qelizat e dhjamit kanë aftësi t’i kthejnë hormonet mashkullore në ato femërore. Në Maqedoni, numri i të prekurve me kancer në gji vazhdon të shënoj rritje nga viti në vit. 218 gra dhe 4 burra vitin e kaluar kanë marrë rezultate me kancer në gji, 15 prej të cilëve të moshës nën 40 vjet. Ndërkohë, 279 gra të moshës 55-59 vjet vdesin thuajse çdo vit nga kjo sëmundje.
Melihate Rustemi
Loading…