Partitë politike turke dhe organizatat e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut u shprehën njëzëri se Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili po shqyrtohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, përmban një sërë mangësish dhe se, në formën aktuale, rrezikon të drejtat e komuniteteve më të vogla etnike, veçanërisht të komunitetit turk. Sipas tyre, ky propozim-ligj duhet të ndryshohet ose të plotësohet me mekanizma më të qartë dhe më efektivë mbrojtës.
Lidhur me këtë çështje kanë reaguar Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), organizatë turke që përfaqëson 72 shoqata joqeveritare anëtare të saj, Partia Demokratike Turke (TDP), deputeti turk nga koalicioni Fronti Europian Salih Murat, si dhe Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH).
Reagimi i Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni:
Mospërcaktimi i mjaftueshëm i dispozitave që kanë të bëjnë me përfaqësimin e komunitetit turk në projekt-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat
Lidhja e Organizatave të Shoqërisë Civile Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), e themeluar në vitin 2003 dhe e përbërë nga 72 shoqata anëtare, vepron me qëllim të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës, kulturës dhe arsimit turk, si dhe të përparimit shoqëror dhe forcimit të pjesëmarrjes së komunitetit turk në jetën publike.
MATÜSİTEB i kushton rëndësi të veçantë përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komunitetit turk në institucione dhe në proceset vendimmarrëse, duke vlerësuar se kjo përbën një element themelor për garantimin e barazisë dhe forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve.
Më 5 qershor 2026, MATÜSİTEB u dorëzoi Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Gordana Siljanovska-Davkova, Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe Kryeministrit, Prof. Dr. Hristijan Mickoski, një dokument zyrtar me titull: “Vlerësimet dhe pritshmëritë lidhur me arsimin, përfaqësimin dhe të drejtat kushtetuese të komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut”, në të cilin janë paraqitur në mënyrë të detajuar çështjet kryesore dhe pritshmëritë e këtij komuniteti.
Duke qenë se Projektligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvend, është me rëndësi që qëndrimet dhe pikëpamjet e komunitetit turk të bëhen publike në kohën e duhur. MATÜSİTEB mbetet e përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv dhe forcimit të barazisë në shoqëri.
Komuniteti turk, si një nga komunitetet autoktone dhe të njohura me Kushtetutë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në parim mbështet miratimin e një ligji që do të sigurojë një sistem transparent, të drejtë dhe funksional të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet publike.
Njëkohësisht, komuniteti turk mbështet plotësisht që në proceset e punësimit dhe avancimit në administratën publike kriteret kryesore të jenë profesionalizmi, merita dhe kompetenca profesionale. Cilësia dhe efikasiteti i institucioneve duhet të mbeten prioriteti më i lartë.
Megjithatë, në projektligjin e propozuar vazhdojnë të ekzistojnë një sërë paqartësish thelbësore që mund të ndikojnë negativisht në realizimin efektiv të të drejtave të komunitetit turk.
Para së gjithash, koncepti i “proporcionalitetit” nuk është përcaktuar mjaftueshëm qartë. Me fjalë të tjera, nuk është saktësuar se nëpërmjet cilëve mekanizma konkretë dhe kritereve të matshme do të sigurohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve më të vogla për nga numri i popullsisë. Mungesa e treguesve të qartë krijon hapësirë për interpretime të ndryshme dhe zbatim selektiv.
Po ashtu, projektligji nuk parashikon instrumente detyruese për monitorimin dhe korrigjimin e nën-përfaqësimit ekzistues të komunitetit turk në institucionet shtetërore dhe ato të pushtetit lokal. Në mungesë të mekanizmave të tillë, parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat rrezikon të mbetet vetëm një parim teorik dhe deklarativ, pa garanci konkrete për zbatimin e tij në praktikë.
Edhe pse projektligji parasheh që përkatësia etnike mund të merret parasysh vetëm si një element shtesë ndërmjet kandidatëve me kualifikime të barabarta, mbetet e paqartë se si do të sigurohet barazia faktike për komunitetet që prej vitesh përballen me nën-përfaqësim.
Veçanërisht shqetësues është fakti se ligji, nga njëra anë, refuzon kriteret automatike etnike dhe kuotat e ngurta, ndërsa nga ana tjetër nuk ofron ndonjë mekanizëm alternativ që do të mundësonte një përmirësim real të nivelit të përfaqësimit të komunitetit turk. Në këto rrethana ekziston rreziku që pabarazitë aktuale të thellohen edhe më tej.
Neni 7 i projektligjit parashikon se masat e diferencuara të ndërmarra për të siguruar barazinë faktike nuk do të konsiderohen diskriminuese. Megjithatë, nuk përcaktohen qartë kushtet, masat dhe kriteret sipas të cilave këto dispozita do të zbatohen në praktikë.
Për këto arsye, ekziston një rrezik real që rregullimi i ri ligjor, në vend që të forcojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, të çojë në diskriminim të tërthortë dhe në margjinalizim edhe më të madh të komunitetit turk.
Komuniteti turk pret që në ligj të rregullohen qartë këto çështje:
* Përcaktimi i kritereve të qarta dhe të matshme për përfaqësimin proporcional;
* Krijimi i mekanizmave korrigjues për eliminimin e nën-përfaqësimit ekzistues;
* Sigurimi i mekanizmave të rregullt të monitorimit institucional dhe të llogaridhënies para opinionit publik;
* Garantimi i mundësive të barabarta për të gjitha komunitetet e njohura me Kushtetutë;
* Ofrimi i garancive se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është vetëm një e drejtë formale, por një e drejtë që zbatohet realisht dhe në mënyrë efektive.
Si një nga komunitetet themelore që për shekuj me radhë ka kontribuar në zhvillimin shoqëror, kulturor, arsimor dhe institucional të vendit, komuniteti turk pret një zgjidhje ligjore që do të sigurojë një përfaqësim të drejtë dhe adekuat, real, të matshëm dhe të qëndrueshëm, në përputhje me frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe parimin e barazisë së të gjithë qytetarëve.
Reagimi i Partisë Demokratike Turke (TDP) në lidhje me propozim ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat:
TDP: Nëse Propozim-ligji miratohet në formën aktuale, nuk mund të mbështesim një zgjidhje që lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe zbatim të pabarabartë
Në reagimin e saj lidhur me Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Partia Demokratike Turke (TDP) thekson se, ndonëse prej afro dy vitesh vepron në opozitë dhe prej një viti si subjekt politik i pavarur, ka vazhduar të ndjekë nga afër të gjitha zhvillimet politike që prekin shtetin dhe qytetarët, duke u udhëhequr nga një qasje konstruktive që vendos në plan të parë interesat e vendit dhe të komunitetit turk.
“Të gjitha çështjet e rëndësishme në agjendën parlamentare i kemi shqyrtuar me kujdes; kur ka qenë e nevojshme kemi shprehur hapur kritikat tona, ndërsa kur ka qenë e mundur kemi zgjedhur dialogun dhe konsultimet për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve. Për ne, përparësi nuk kanë qenë kurrë kalkulimet politike, por interesat e qytetarëve tanë dhe mbrojtja e të drejtave kushtetuese të komunitetit turk.
Ashtu si deri më tani, edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ta përfaqësojmë komunitetin turk në mënyrën më të denjë, si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, të mbështetur në besimin dhe përkrahjen që marrim nga populli ynë.
Në kuadër të kësaj, pas konsultimeve të zhvilluara me institucionet përkatëse, ekspertët dhe përfaqësuesit e komuniteteve, e vlerësojmë të nevojshme t’i bëjmë publike qëndrimet tona lidhur me Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili aktualisht ndodhet në procedurë parlamentare.
Ne, Partia Demokratike Turke, besojmë se parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat përbën një nga shtyllat themelore të rendit tonë kushtetues dhe një nga arritjet më të rëndësishme të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Për këtë arsye, konsiderojmë se zgjidhja ligjore që do të miratohet duhet të përmbajë dispozita të qarta, të sakta, të zbatueshme dhe të kontrollueshme.
Vlerësojmë se, në formën aktuale, propozim-ligji nuk ofron garanci të mjaftueshme juridike dhe institucionale për zbatimin e plotë të parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Komuniteti turk është përballur prej vitesh me vështirësi të ndryshme në zbatimin praktik të kësaj të drejte kushtetuese. Prandaj, besojmë se ligji duhet të përmbajë dispozita më të qarta, më të forta dhe të pandjeshme ndaj interpretimeve të ndryshme, sidomos sa i përket mënyrës së zbatimit, mekanizmave dhe përgjegjësive institucionale.
Qëllimi ynë nuk është të kritikojmë çdo zgjidhje ligjore, por të kontribuojmë në krijimin e një mekanizmi afatgjatë dhe të qëndrueshëm, i cili do të sigurojë trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet dhe do të garantojë përfaqësim të drejtë në kuptimin e plotë të fjalës.
Në këtë drejtim, Partia Demokratike Turke është e gatshme të japë kontribut aktiv në këtë proces dhe t’i ndajë propozimet e saj konkrete me institucionet kompetente, me qëllim përforcimin e përmbajtjes së propozim-ligjit.
Megjithatë, dëshirojmë që opinioni publik ta dijë qartë se, nëse ky propozim-ligj miratohet në formën e saj aktuale, nuk do të jetë e mundur të mbështesim një zgjidhje që lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe për dallime të mundshme në zbatim.
Ne besojmë se besimi ndaj institucioneve mund të forcohet vetëm përmes një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe që merr parasysh mendimet e të gjitha komuniteteve.
Edhe pse në demokracitë parlamentare vendimmarrja i takon shumicës, çështjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat kushtetuese të komuniteteve mund të marrin zgjidhje të qëndrueshme vetëm përmes dialogut, konsultimeve dhe një konsensusi të gjerë shoqëror.
Me këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që t’i qasen këtij procesi të rëndësishëm me një çasje gjithëpërfshirëse, konstruktivitet dhe ndjenjë më të lartë përgjegjësie.
Çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nuk është vetëm problem i një komuniteti të caktuar; ajo përbën një përgjegjësi të përbashkët për mbrojtjen e sundimit të ligjit, garantimin e barazisë së mundësive, ruajtjen e paqes shoqërore dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të shtetit tonë.
Pritshmëria jonë është që të miratohet një zgjidhje ligjore e qëndrueshme dhe e fuqishme, e cila u jep siguri të gjithë qytetarëve, forcon barazinë dhe rrit besimin në institucione”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike Turke (TDP).
Reagimi i deputetit të Frontit Europian, Salih Murat:
Deputeti Salih Murat: Nëse ky ligj miratohet në formën aktuale, do t’i jepet një goditje serioze integrimit të komuniteteve në nivel kushtetues
Deputeti Salih Murat, lidhur me Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, deklaroi se shqyrtimi i tij do të vazhdojë në komisionet parlamentare, ndërsa Fronti Europian do t’i mbrojë amendamentet e propozuara kundër zgjidhjes aktuale ligjore.
“Propozim-ligji nesër do t’i nënshtrohet leximit të dytë në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ndërsa më pas do të shqyrtohet edhe në Komisionin për Çështje Juridiko-Ligjore. Në ditët në vijim ai do të hidhet në votim në seancën plenare të Kuvendit.
Si, Front Europian, në komisionet parlamentare do t’i mbrojmë amendamentet tona, të cilat përmbajnë kundërshtime të argumentuara dhe të dokumentuara ndaj këtij ligji. Ju rekomandoj ta ndiqni transmetimin e punës së Kuvendit.
Grupi ynë parlamentar deri më tani i ka ndërmarrë në mënyrë të plotë të gjitha hapat e parashikuar me Rregulloren e Kuvendit.
Gjatë leximit të parë, si në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ashtu edhe në Komisionin për Çështje Juridiko-Ligjore, kemi mbrojtur qëndrimet tona lidhur me kushtetutshmërinë dhe përmbajtjen e ligjit.
Në Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive kemi mbrojtur parimin e Badenterit të dyfishtë, duke kundërshtuar votimin sipas të ashtuquajturit ‘Badenter i vogël’, të cilin e kemi konsideruar si imponim partiak.
Në seancën e parë plenare të Kuvendit kemi paraqitur dhe mbrojtur argumentet tona para një numri të madh deputetësh.
Kemi organizuar dy konferenca për shtyp për ta informuar opinionin publik.
Në televizione të ndryshme kemi shpalosur qëndrimet tona dhe i kemi argumentuar ato edhe në bazë të ligjeve përkatëse.
Përmes rrjeteve tona sociale dhe platformave të tjera kemi informuar qytetarët për përmbajtjen e ligjit, si dhe për avantazhet dhe disavantazhet e mundshme që ai mund të sjellë.
I jemi drejtuar me kërkesë me shkrim Komisionit të Venecias, duke e njoftuar se në draftin aktual janë marrë parasysh vetëm rreth 60 për qind e rekomandimeve të këtij institucioni, ndërsa pjesa tjetër e sugjerimeve është injoruar.
Jemi takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup dhe ekipin e tij, ku kemi shprehur qartë shqetësimet tona lidhur me këtë çështje.
Në seancën publike të organizuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit akademik kemi paraqitur propozimet e ekspertëve dhe kemi marrë pjesë aktive në debat.
Me nënshkrimet e 15 deputetëve kemi dorëzuar një numër të madh amendamentesh ndaj këtij propozim-ligji.
Ky ligj është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, me praktikën historike të Maqedonisë së Veriut dhe me legjislacionin që rregullon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve.
Nëse ky ligj miratohet në formën aktuale, do t’i jepet një goditje serioze integrimit të komuniteteve në nivel kushtetues.
Pyetja “Po të tjerët çfarë bënë?” tashmë e ka humbur kuptimin. Në këtë fazë, ngritja e një dileme të tillë shërben vetëm për ta dezinformuar dhe mashtruar opinionin publik”, ka theksuar deputeti i Frontit Europian, Salih Murat.
Reagimi i Lëvizjes për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH):
TMBH: Ky propozim-ligj nuk është në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë, të garantuar me Kushtetutë
Në reagimin e saj lidhur me Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH) vlerëson se zgjidhja e propozuar nuk është në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë, i cili përbën një nga garancitë themelore kushtetuese.
Lidhur me këtë, në deklaratën e TMBH-së thuhet kështu:
“Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH) e cila konsiderohet zëri i ndërgjegjes dhe refleksit kombëtar të turqve të Maqedonisë, lidhur me Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të paraqitur nga Qeveria në Kuvend, theksojmë se ai nuk është në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë,të garantuar me Kushtetutë si një nga dispozitat e saj themelore.
Ky tekst ligjor, përmban kundërthënie të shumta dhe nuk krijon bindjen se kjo dispozitë kushtetuese do të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe efektive. Veçanërisht, çasja e paqartë dhe fleksibile në përcaktimin e përkatësisë etnike nuk ofron asnjë garanci reale për sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Fatkeqësisht, keqpërdorimet që kanë ndodhur deri më sot nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të këtij propozim-ligji.
Po ashtu, mungesa e një institucioni shtetëror kompetent që do të verifikonte përkatësinë etnike, si dhe mungesa e një mekanizmi të posaçëm mbikëqyrës për kontrollin e këtij procesi, lë të kuptohet se keqpërdorimet mund të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Sipas nesh, ky ligj do ta vështirësojë punësimin e pjesëtarëve të komunitetit turk në administratën publike dhe institucionet shtetërore. Për këtë arsye, dëshirojmë ta informojmë opinionin publik se, po të kishim përfaqësues në Kuvend, këtë propozim-ligj nuk do ta mbështesnim dhe nuk do ta votonim në formën e saj aktuale.
Gjithashtu, theksojmë se gjatë gjithë procesit të hartimit të këtij teksti ligjor, deri në versionin që ndodhet sot në procedurë parlamentare, me partinë tonë nuk është zhvilluar asnjë konsultim. Për rrjedhojë, ky propozim-ligj nuk përmban asnjë element që gëzon mbështetjen dhe miratimin tonë”, thuhet në reagimin e TMBH-së.


