Jo të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhor të angazhuar në zgjedhjet lokale të katër muajve më parë janë paguar për angazhimin e tyre, shkruan Alsat.
Për 12 komuna të cilat në momentin e shpalljes së zgjedhjeve lokale kanë pasur xhirollogari të bllokuar, mjetet do t’i sigurojë Ministria e Financave.
Bëhet fjalë për komunat; të Zërnovcit, Resnjës, Dellçevës, Ohrit, Pehçevës, Tetovës, Strugës, Krivogashtanit, Karposhit, Demir Kapisë, Vasilevës dhe Çeshinovës- Obleshevës. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmojnë se procedura për to është nga fundi.
“Atje ku janë të bllokuara llogaritë para fillimit të zgjedhjeve dërguam kërkesë dhe listë deri te Ministria e Financave kështu që procedura është nga fundi dhe Ministria e Financave do të dërgojë mjete posaçërisht për këtë qëllim dhe do të paguhen”,
Por edhe rreth 10 komuna të tjera, xhirollogaritë e të cilave nuk kanë qenë të bllokuara në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, nuk e kanë kryer këtë detyrim ndaj anëtarëve të këshillave zgjedhor. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka informacione se cilat janë ata komuna. Alsat dërgoi pyetje të posaçme në Komunën e Qendrës, Komunën e Bogovinës, Komunën e Likovës, Komunën e Gostivarit, Komunën e Shuto Orizares dhe Komunën e Çairit. Asnjëri nga institucionet e lartpërmendur nuk konfirmoi nëse e ka shlyer këtë detyrim, dhe nëse nuk e ka shlyer, cila është arsyeja.
Ky fenomen ndikon në punën e KSHZ-së e cila para çdo cikli zgjedhor përballet me vështirësi gjatë selektimit të anëtarëve të trupave zgjedhor, meqë shumë prej tyre e refuzojnë këtë detyrë.
“Puna e jonë është vetëm t’u themi se sipas ligjit ata duhet t’i paguajnë mjetet sepse Kodi zgjedhor thotë se për zgjedhje lokale i paguan pushteti lokal kurse përgjegjësia më tej është e komunave. Ata sipas ligjit janë të detyruara dhe e kanë patjetër t’i paguajnë”, tha Dashtevski.



