Kompania serbe për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave “Bard-Kop” DO nga Beogradi u bë pronari i katërt më i madh i aksioneve në gjigantin e ndërtimit, kompaninë “Granit” në Maqedoninë e Veriut.
Ky është informacioni i fundit që është publikuar nga Depozita Qendrore e Letrave me Vlerë pas tregtimit intensiv me aksionet e “Granit” në periudhën e kaluar, përcjell portali Faktor.
Ligjërisht, lejohet vetëm deklarimi i pronarëve të kapitalit mbi 5 për qind në shoqëritë tregtare dhe me ndryshimin e fundit nga e hëna është evidentuar se “Bard-Kop” Doo është pronar i 5.06 për qind të aksioneve. Pronarët tjerë me aksione mbi 5 për qind janë vetë kompania ndërtimore “Granit” me 9,81 për qind, Zoran Milkovski me 8,9 për qind dhe Ivana Milkovska – Simeva me 8,8 për qind. Pesha e personave juridikë të huaj në “Granit” është 6.56 për qind dhe janë gjithsej tetë të tillë.
Numri i përgjithshëm i aksionarëve në “Granit” është 4028 persona fizikë dhe juridikë – vendas dhe të huaj.
“Granit” në periudhën janar – shtator 2022 ka realizuar të hyra totale prej 57 milionë euro dhe një rritje prej 4 për qind. Fitimi pas tre tremujorëve të parë të vitit është 1.35 milionë euro.(INA)