Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV, që të nxisin komisionerët dhe numëruesit në zonat ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave.
Celibashi kërkon që procesi të përmbyllet brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme.
Ai theksoi se përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike.
Në fund të deklaratës, Celibashi paralajmëroi se nëse situata nuk ndryshon brenda afatit të përcaktuar, të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore.
“Nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati. Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve.
Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit.
Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore”, thuhet në deklaratën e Celibashit drejtuar partive politike në Facebook.