Një nxënës nga shkolla fillore komunale “Shën Klimenti i Ohrit” në Miravcë është diskriminuar nga mësuesja, drejtoresha dhe pedagogia për shkak të modelit të tij të flokëve, i cili nuk u kishte pëlqyer atyre. As përpjekjet e fëmijës për t’i bindur se modeli i flokëve ishte modern dhe se të njëjtin model e kishin edhe bashkëlojtarët e tij në ekipin e futbollit ku stërvitej, nuk ndihmuan.
I përlotur dhe i revoltuar, ai vetë i preu flokët me gërshërë dhe shkoi në shkollë në atë gjendje.
Nëna e tij e raportoi këtë ngacmim në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në shtator. Para një jave, Komisioni konstatoi diskriminim të drejtpërdrejtë nga shkolla fillore “Shën Klimenti i Ohrit” ndaj këtij fëmije, mbi baza gjinore në fushën e arsimit.
Komisioni, duke shkruar për këtë rast të pazakontë, thekson se në fillim të shtatorit nëna e djalit ishte njoftuar nga shkolla se i biri duhet të vinte në shkollë me një “model të rregullt” flokësh. Ajo sqaroi se fëmija nuk kishte flokë të gjata.
Më 1 shtator 2024, nëna e kishte dërguar djalin në shkollë me flokët e lidhura në bisht, me qëllim që të dukej i rregullt. Të njëjtën ditë, drejtoresha e shkollës i kishte dhënë një urdhër verbal mësueses kujdestare që t’ia heqë bishtin fëmijës dhe ta informojë të ëmën që të nesërmen fëmija të vinte me një “model të rregullt” flokësh në shkollë.
Fëmija nuk kishte treguar për incidentin në shtëpi, por pasdite nëna e tij mori një telefonatë nga mësuesja kujdestare. Ajo i tha se një ditë më parë djali kishte qenë te parukieri, por kishte refuzuar t’i priste balluket, duke kërkuar vetëm një prerje anësore.
Pasi dëgjoi bisedën e nënës së tij me mësuesen, fëmija, i përlotur, mori një palë gërshërë dhe vetë ia preu flokët mbi sy. Të nesërmen, më 2 shtator, nxënësi shkoi në shkollë pa i rregulluar flokët te parukieri, por ndryshe nga dita e mëparshme, këtë herë nuk i kishte mbledhur flokët.
E shqetësuar, nëna kërkoi vetë një bisedë me drejtoreshën për të kuptuar pse djali i saj konsiderohej i parregullt. Drejtoresha i tha se shkolla kishte një kod të sjelljes dhe një kod të veshjes. Nëna pyeti ku ishte shkruar konkretisht rregulli për flokët, duke argumentuar se kjo ishte diskriminuese dhe se modeli i flokëve ishte një çështje personale.
Për më tepër, nëna i vuri në dukje drejtoreshës se i njëjti model flokësh mbahej nga njëri prej të punësuarve në shkollë, si dhe nga një vajzë e klasës së nëntë në të njëjtën shkollë. Megjithatë, pedagogu e paralajmëroi nënën se, nëse nuk e rregullonte modelin e flokëve të djalit, ai do të përballej me masë disiplinore, që është hapi i fundit para përjashtimit nga shkolla.
“Ankuesja shpjegoi se modeli i flokëve të djalit ishte një trend mode mes të gjithë fëmijëve në ekipin e futbollit ku luante dhe i biri i saj, dhe shtoi se, nëse do të ishte e nevojshme, do ta regjistronte në një shkollë tjetër. Në këtë pikë, pedagogu i ishte përgjigjur me ulërimë: ‘Provoje, nëse mendon se mundesh dhe se është kaq e lehtë. Kam punuar në tre shkolla dhe askund nuk lejohet një model i tillë flokësh!’” citohet në ankesën e dorëzuar pranë Komisionit.
Shkolla ka deklaruar se po përpiqet të sigurojë kushte dhe një mjedis të favorshëm për të gjithë nxënësit. Ajo theksoi se është e hapur për komunikim me nënën, për të tejkaluar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje konstruktive në lidhje me modelin e flokëve të fëmijës së saj. Shkolla shpjegoi se nëna ishte ftuar me mirëkuptim për t’i bërë me dije që fëmija duhet të vinte në shkollë me një “model të rregullt” flokësh. Gjithashtu, u tha se pedagogu kishte sqaruar se nxënësit duhet të respektojnë Rregulloret dhe Disiplinën e Brendshme të shkollës, por nuk ishte thënë se një model i caktuar flokësh do të çonte në masë disiplinore.
Shkolla shtoi gjithashtu se pas ankesës së nënës, në nëntor ishte mbajtur një mbledhje e këshillit të mësuesve, ku ishte shfuqizuar pika 12 e Disiplinës së Brendshme, e cila kishte të bënte me veshjen dhe modelet e rregullta të flokëve të nxënësve.
Nëna ka raportuar rastin edhe te Avokati i Popullit.
Në vendimin për diskriminimin e konstatuar, Komisioni ka dhënë rekomandime të detyrueshme për shkollën.
“Rekomandohet që shkolla fillore komunale ‘Shën Klimenti i Ohrit’ – Miravcë të përmbahet nga veprime dhe rregulla të sjelljes që bazohen në stereotipe gjinore, si në rastin konkret. Gjithashtu, rekomandohet që shkolla të rishikojë aktet e saj të brendshme, si rregullorja e disiplinës, nga këndvështrimi i barazisë gjinore, me qëllim që përmes tyre të promovohet barazia gjinore dhe jo stereotipet gjinore,” thuhet në rekomandimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD).
Në të njëjtën kohë, shtohet se nëse kjo nuk respektohet, shkolla në Miravcë do të raportohet në gjykatë.