Janë shpenzuar shumë para dhe nuk ka nevojë për asnjë koment për deklaratat e tyre. Kështu kryeministri Mickoski iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me ish anëtarët e komisionit të përzier maqedono-bullgar për çështje arsimore dhe historike. Reagimi i tij vjen pas letrës së ish-anëtarëve të komisionit, dërguar mediave, ku thonë se puna e komisionit është keqpërdorur për qëllime politike dhe partiake. Ata kërkuan që në përbërjen e re të përfshihen edhe ekspertë nga jashtë për të shmangur ndikimin politik. Mickoski thotë se nuk ka asgjë kundër, por thotë se do të kërkojë edhe të kontrollohet se ku janë shpenzuar paratë nga ky komision.
“Le të përfshihet OSBE-ja, por organet e inspektimit dhe hetimit do të përfshihen tani për të parë se ku janë shpenzuar paratë. Dhe ata do të përfshihen për të parë se për çfarë janë shpenzuar paratë, sa janë paratë e atyre që nuk kanë bërë asgjë në vitet e kaluara, dmth kanë turpëruar popullin e Maqedonisë dhe kanë shitur interesat maqedonase”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
Edhe për liderin e opozitës, Venko Filipçe, nuk ka asgjë të keqe të përfshihen ekspertë ndërkombëtarë në punën e Komisionit.
“Mendoj se përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë nuk është aspak e keqe. Së pari, do të ndikojnë patjetër në eliminimin e ndikimeve politike që nuk janë të mira për askënd dhe së dyti, do të sjellin përvoja nga komisionet e mëparshme në të cilat kanë punuar në këto vende që përmendëm. Pra, po, dënoj diskreditimin politik, politizimin e komisionit historik”, tha Venko Filipçe -kryetar i LSDM-së.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova nesër do të udhëtojë për vizitë në Sofje ku do të takojë presidentin bullgar Rumen Radev. Për Mickoskin, ky takim është në frymën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke theksuar se qëllimi i kësaj qeverie është të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje. /Alsat.mk