Bashkimi Evropian është i përkushtuar për të punuar në planin e zgjerimit dhe për rimëkëmbjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por për të realizuar këtë duhet të shohim rezultate konkrete në sferën e reformave kyçe. Kjo është porosia që solli sot në Shkup, komisari për zgjerim i BE-së, Oliver Varheji, gjatë një konference për media që e zhvilloi me kryeministrin Zoran Zaev. Zyrtari i lartë evropian, theks të veçantë vendosi në drejtësi, sundimin e ligjit, mediat dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Oliver Varheji, eurokomisar
“Jemi të angazhuar ta përforcojmë zgjerimin, për shkak se kemi metodologji të re. Së dyti, arrijmë marrëveshje me vendet tjera anëtare për fillimin e negociatave me vendin tuaj. Dhe, së treti, që është shumë e rëndësishme është plani ekonomiko-investues. Mendoj se BE-ja është shumë e rëndësishme për RMV-në, por edhe për të gjithë rajonin. U përpoqëm t’ia dëgjojmë të gjitha idetë se në cilat fusha mund të ndikohet për rimëkëmbjen ekonomike. Duhet të shohim se po punohet në luftën kundër korrupsionit, sundimit të së drejtës dhe të gjitha ligjet, në gjyqësor, Prokurorinë Publike. Duhet të shohim rezultate që të mund ta prezantojmë përkushtimin tonë para vendeve tjera anëtare të BE-së”
Kreu i Qeverisë, Zoran Zaev, theksoi se në raportin e Komisionit Evropian të cilin ia dorëzoi sot personalisht komisari i lartë, është nënvizuar progresi i arritur, por potencoi se të gjitha rekomandimet do të jenë pjesë e planeve të ardhshme për zhvillim dhe reforma. Duke folur për pakon e re financiare nga BE për vendet e Ballkanit ku do të përfitojë edhe Maqedonia e Veriut, Zaev tha se ajo është me rëndësi të madhe për sektorin privat, për projektet energjetike dhe lidhjen transportuese dhe hekurudhore të rajonit.
Zoran Zaev, kryeministër
“Moment posaçërisht i rëndësishëm është se Raporti i KE-së publikohet në periudhë të riafirmimit të hapave evropiane dhe programit të Qeverisë së re dhe paraqet vegël e shkëlqyeshme për definimin e saktë të prioriteteve dhe planeve në sektore gjatë periudhës së ardhshme. Jemi falënderues që shumë projekte të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut do të përkrahen me këtë plan. Shpreh falënderim deri te Bashkimi Evropian dhe për ndihmën jovetjake, e cila na është dhënë gjatë kohës së krizës me Kovid-19, e cila ende po zgjat. Dje arritën 80 milionë euro në buxhet, ndërsa 80 milionë euro tjera do të vijnë gjatë periudhës së ardhshme. Solidariteti në vepër i BE-së është nxitje për punën tonë të ardhshme”
Komisari Varheji qëndron për vizitë zyrtare në Shkup ku autoriteteve vendore ju ka dorëzuar personalisht edhe raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit. Ai tha se kryesimi gjerman dhe vendet anëtare janë të përkushtuara që konferenca e parë ndërqeveritare të realizohet deri në fund të këtij viti.




