Shoferët që sot udhëtojnë drejt Greqisë përmes pikës kufitare “Bogorodicë” po përballen me pritje të gjata. Sipas të dhënave të LAMM-it, koha e pritjes për dalje nga vendi arrin deri në dy orë, si pasojë e fluksit të shtuar të automjeteve.
Në pikën kufitare “Tabanocë”, pritja për hyrje në vend zgjat rreth 30 minuta, ndërsa në pikat e tjera kufitare në anën e Maqedonisë nuk janë regjistruar vonesa më të gjata, si për hyrje ashtu edhe për dalje.
LAMM u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion të përshtatin shpejtësinë me kushtet në rrugë, të respektojnë sinjalistikën dhe të drejtojnë automjetet me kujdes.
Kujdes i shtuar rekomandohet në rrugët që kalojnë nëpër lugina, gryka dhe përgjatë lumenjve, ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve të dheut. Veçanërisht, drejtuesit e automjeteve këshillohen të jenë të kujdesshëm në akset Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Vinicë–Berovë dhe Koçan–Dellçevë.



