Kokainë, para dhe katër telefona, arrestohet 40-vjeçari në Tiranë

Kokainë, para dhe katër telefona, arrestohet 40-vjeçari në Tiranë

Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranë pasi është kapur duke shpërndarë drogë në zonën e Laprakës.



Në pranga përfundoi shtetasi R.S i cili u ndalua në zonën e Laprakës, dhe pas kontrollit në mjet iu zbulua sasia e drogës, e cila ishte ndarë në 63 doza gati për shitje.

Njoftimi i policisë:  

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta në doza të vogla. Finalizohet pas disa javë hetimesh, operacioni policor i koduar “Lapraka”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve

Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë parash që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, automjeti me të cilin autori qarkullonte për të shpërndarë lëndën narkotike dhe katër aparate celular.

Vihet në pranga 40-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, në Laprakë dhe në disa zona të tjera të Tiranës.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas një pune hetimore disajavore u bë e mundur goditja dhe dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarisë kriminale.

Gjatë operacionit policor të koduar “Lapraka”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kapën në rrugën “Allman Dervishi “ dhe më pas arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në automjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte u gjetën 63 doza lëndë narkotike kokainë, një shumë lekësh që dyshohen se janë të përfituara nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së lëndës narkotike dhe katër aparate celular, të cilët janë sekuestruan në cilësinë e provave materiale bashkë me automjetin.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’.