10 May 2018 / 14:47
Kuvendi i Maqedonisë asnjëherë nuk ka pasur Kod etik parlamentar. Zhvillimet e një viti më parë por edhe më herët, kanë imponuar nevojën e Kodit Etik për deputetët dhe administratën parlamentare. Eksperti i etikës parlamentare në asamblenë franceze, Ferdinand Sukramanien vlerëson se Etika parlamentare duhet bazuar në katër parime: besimi mes deputetëve, veprimet e tyre jashtë Kuvendit, shpërblimet ndaj tyre nga jashtë dhe kontrolli mbi harxhimet e deputetëve.
Etika parlamentare është bazë e krijimit të besimit në Kuvend. Ajo duhet të përfshijë çdo deklaratë të deputetit, listën anketuese, lidhjet e tij me biznesin, interesat pritave etj. Në Francë ekziston parimi që për çdo dhuratë mbi 150 euro, deputeti të konsultohet me etikun e Kuvendit. Harxhimet rrugore për deputetët të paguhen në xhirollogari të pavarur me qëllim që kontrolli i tyre të jetë më i lehtë. Për çdo harxhim, qoftë edhe privat por me interes publik, deputeti duhet të konsultohet me etikun me qëllim që të merren masa preventive për keqpërdorime të mundshme – tha Ferdinand Sukramanien, Ekspert i etikës parlamentare.
Ambasadori francez në Shkup, Kristian Timonie kujtoi deputetët dhe kreun e Kuvendit se përbërja parlamentare duhet vetë ta gjej mënyrën e sjelljes etike.
Nuk duam të ju japim mësim. Duhet vet ta gjeni mënyrën e sjelljes etike. Në këtë drejtim, shumica dhe opozita duhet të luajnë rol konstruktiv dhe të hartojnë bashkërisht Kodin etik parlamentar. Praktika jonë mund të merret për bazë që juve të frymëzoheni – tha Kristian Timonie, Ambasador i Francës.
I pari i ligjvënësit pajtohet me nevojën e Kodit etik parlamentar. Sipas Talat Xhaferit, besimi parlamentar lehtëson dialogun.
Ky Kod i cili për momentin është në fazën e projekt dokumentit, ka për qëllim ta rrisë besimin e qytetarëve dhe opinionit në vlerat themelore dhe integritetin e funksionit deputet si individ. Me këtë, do të rritet edhe besimi në Kuvendin si organ përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe bartës i pushtetit legjislativ – deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Kodi etik parlamentar pritet të hartohet në dialogun e Zhan Monesë në Ohër.
Adrian Kerimi


