Kryeprokurori publik Ljupço Kocevski deklaroi se ka pranuar propozimin për shkarkimin e tij dhe se do të deklarohet për të gjitha pikat brenda një afati të arsyeshëm. Sipas tij, nuk ka bazë për konstatimin e shkeljes së rëndë disiplinore. Në një prononcim për media para seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, i pyetur se në çka thirret propozimi, Kocevski u përgjigj se i referohet përafërsisht të njëjtës gjë që është theksuar në media së fundmi, transmeton Portalb.mk.
“Dje më është paraqitur propozimi nga Këshilli i Prokurorëve Publik dhe në të gjitha pikat do të përgjigjem brenda një afati të arsyeshëm. Mendoj se nga ajo që kam pasur mundësi të shqyrtoj, propozimi për konstatimin e shkeljes së rëndë disiplinore nuk ka bazë”, tha Kocevski.
Prokurori Publik, siç theksuan atëherë nga Ministria e Drejtësisë, ka vepruar në rastet në të cilat, sipas dispozitave ligjore, ka pasur rrethana që kanë ngritur dyshime për paanshmërinë e tij, si dhe ka pasur konflikt interesi, dhe rrethanat për të cilat është dashur t’i dijë dhe nga të cilat është dashur të përjashtohet.
Lidhur me kallëzimin penal të parashtruar nga Mustafa Hajrullahi, kryetari i suspenduar i Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup, kundër tij për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Kocevski deklaroi se është e çuditshme dhe se nuk ka bazë për përgjegjësi penale.
“Nga ajo që kam dëgjuar nga mediat deri më tani, është vërtet një kallëzim penal i çuditshëm, së paku nëse është kjo përmbajtja, që të tre prokurorët kinse akuzohen për një lloj bashkëpunimi, sepse prokurori publik në Shtip ka vepruar për një rast, përkatësisht vepër penale nga neni 143 për të cilën është paraparë dënim, për të cilën është e nevojshme të kryhet hetim. Kjo në asnjë rast nuk mund të jetë bazë për përgjegjësi penale”, tha Kocevski.
Sipas informacioneve, në seancën e sotme nuk është caktuar të diskutohet për kërkesën e prokurores Natasha Krsteva Caleva që të lirohet nga pozita e kryesueses së Prokurorisë së Lartë Publike Shkup për shkak të mungesës së anëtares Keti Petkova.
Kocevski foli edhe për pozitat e lira prokuroriale për të cilat sot në Këshill zgjidhen prokurorët e rinj publikë.
“Me përzgjedhjen e re të kandidatëve të rinj presim që të përmirësohet efikasiteti në Prokurorinë Publike, duke pasur parasysh se ka mbi 90 prokurorë publikë më pak. Kështu që, nga sa dëgjova sot, nuk kanë aplikuar mjaftueshëm sipas asaj që u paraqit në thirrje publike. Këtë do ta sqarojë kryetarja gjatë debatit të sotëm, me atë që mësuam se disa kandidatë madje janë tërhequr”, theksoi ai.
Në seancën e sotme është paraparë që të zgjidhen 47 prokurorë në tetëmbëdhjetë prokurori publike.