Shkrimtari australian dhe ish-diplomati me prejardhje kineze, Yang Hengjun, është akuzuar nga Pekini për spiunazh.
Yang është duke u mbajtur në ndalim në Kinë që nga janari, kur ishte arrestuar në qytetin Guangzhou. Ai është duke qëndruar në një qendër ndalimi të Ministrisë për Sigurinë e Shtetit në Pekin.
Ambasada e Australisë në Kinë është informuar nga Byroja e Sigurisë Kombëtare në Pekin të hënën pasdite se Yang është akuzuar zyrtarisht me dyshimet për kryerje të krimit të spiunazhit.
Avokati i shkrimtarit, Rob Stary, konfirmoi se klienti i tij është akuzuar me një veprim spiunazhi, ndonëse nuk janë dhënë hollësi për këtë vepër. Nuk dihet nëse akuza ka të bëjë me punën e tij si shkrimtar apo aktivist i demokracisë. Përpos kësaj, nuk dihet nëse ai dyshohet për spiunazh në favor të Australisë apo të ndonjë shteti tjetër.
Stary tha se ekipi ligjor i shkrimtarit janë në ankth, sepse ai është akuzuar për një shkelje që në Kinë mund të dënohet me vdekje.
Sipas ligjeve kineze, ekzistojnë disa krime që lidhen me spiunazhin. Dënimet për to fillojnë nga dënimi me 3 vjet burgim deri në dënimin me vdekje, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.



