Profesori universitar Ali Pajaziti përmes profilit të tij në Facebook ka bërë të ditur se është kërcënuar nga një person përmes telefonit. Ai madje ka publikuar edhe numrin e kërcënuesit, duke shtuar se nuk e ka ndërmend të frikësohet. Në një prononcim për televizionin Shenja, Pajaziti tha se bëhet fjalë për kërcënime nga nëntoka politike.
“Sonte ne ora 8:47 në viber nga një numër i T-Mobile mora mesazhe me ofendime dhe kërcënim për sigurinë time, me fjalë nga më të ultat. Ky njeri me gjasë i shtyrë nga qarqe të nëntokës politike është pasojë e luftës së pistë të kësaj fushate parazgjedhore. Ky është një indikator se në çfarë derexheje kanë rënë servilët e prijësve të politikës sonë”.
Profesori Pajaziti ka marrë kërcënime për sigurinë e tij fizike nga personi i apostrofuar. Mesazhet që ka marrë, përmendin “gepekun”, “do e marrësh vesh pas disa ditëve”, “ne ia kemi bë kështu e ashtu shkaut…”, e të ngjashme.
Ndryshe, Ali Pajaziti është profesor me renome, me qasje kritike ndaj dukurive negative në shoqëri, veçanërisht në Maqedoni.