Qindra administratorë shqiptar, por edhe të komuniteteve të tjera, në Maqedoni, vazhdojnë të qëndrojnë me vite nëpër shtëpi, në pritje të sistemimit nëpër institucione. Edhepse zyra e kryeministrit dhe e sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë ka patur funksionar shqiptarë dhe sistemimi i tyre akoma zvarritet. Se ku qëndron problemi, analistët Nijazi Muhamedi dhe Osman Kadriu thonë se për këtë janë fajtorë vetë shqiptarët.
“Puna e ashtuquajturve “administratorë” shqiptarë, të cilët në fakt janë “administratorë virtualë” përbën një fakt më të fortë se si partia që prodhoi këtë anomali të percudnuar në sistemin administrativ dhe juridik e ka deformuar të ashtuquajturin “përfaqësim adekuat” sipas Marrveshjes Kornizë të Ohrit, që e ka kthyer në “përfaqësim virtual”, i cili instrumentalizohet si “përfaqësim klientelist”, si një “privilegj” i veçantë që u jepet partive shqiptare në koalicion për të lidhur lojalitetin e “administratorëve” me lojalitetin partiak, në fakt të partisë punëdhënëse, një fenomen i shëmtueshëm që devalvon konceptin demokratik të shqiptarëve mbi demokracinë, drejtësinë dhe barazinë në disa rrafshe të jetës shtetërore dhe me këtë , në vend që të ndodhte vendosja e ekuilibrave në administratën shtetërore ndërmjet administratorëve maqedonas dhe shqiptarë, këto ekuilibra u katandisën në një disparitet edhe më të madh”, thotë Muhamedi, për Almakos.
Reforma e Administratës Publike Shtetërore, e cila është në diskursin e qeveritarëve prej një kohe të gjatë, duhet përshpejtuar. Ajo është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian. Njëra nga sfidat kryesore të reformimit është ndikimi social që do të ketë reforma. Janë me qindra punëtorë që konsiderohen si të punësuar, por nuk janë të inkuadruar në procesin e punës administrative, por marrin paga. Memeti thotë se do të ketë tepricë nëpër institucione të ndryshme edhe nëse ata sistemohen në vendet e punës, por që duhet të bëhet një përzgjedhje e duhur, të bazuara mbi norma. Ai shton se bayuar në reformat që do të ndërmerren as në Raportin të Pribes, nuk përmendet kjo çështje, as edhe nga politikanët shqiptarë, që përfaqësojnë popullin shqiptar.
“Kjo tash nuk mund të gjejë zgjidhje tranzitore përmes risistemimit të tyre prap dhe në mënyrë arbitrare dhe prap përmes “paternalizmit” partiak mbi të drejtën e punës dhe mbi mundësitë e përparimit në karrierë, por duhet bërë përmes një sistemi rekrutues të ngritur mbi norma, por kjo kërkon që edhe sistemi i administratës, po dhe ai juridik, po dhe legjislacioni që e vë në funksion atë sistem, pikërisht në frymën e MO -së, të reformohet në tërësinë e tij, kurse në këtë reformë të afishuar, pra sipas Raportit të Pribes, as që përmendet, po as që e kanë ngritur si çështje edhe këta “pehlivanat” politikë që kanë qitur fjalën se përfaqësojnë shqiptarët. Me anë tjetër, atë “të ndenjurën në shtëpi” të paguar të këtyre administratorëve duhet konsideruar si një poshtërim që i bëhet dinjitetit dhe ambicieve individuale të tyre për të hyrë dhe avansuar në karrierën e tyre mbi bazë të dijes, aftësimit plotësues dhe kritereve të meritës, të cilat rinia jonë i ka, bile në nivele europiane i ka veçmas ajo rini që ka mbetur jashtë akcesit në këtë garniturë të quajtur “administratorë virtuale”, apo “administratorë klientelistë”, sikundër realisht konsiderohet statusi i tyre.
Ky fenomen, pra, nuk është edhe pa sherre të tjera nga ana e atij që e lejon këtë, pra nga ana maqedonase, sepse dihet se “lojaliteti partiak” si kusht për akses në punë të administratës zakonisht konvertohet edhe në “lojalitet” ndaj shumicës etnike që e dominon atë administratë, e cila atë lojalitet ia shpërblen me avansime në karrierë dhe kështu hapet sheshi i manipulimeve me klientela me pronësi të përzier, pra maqedono-shqiptare, ndaj edhe ajo vota shumë e përfolur shqiptare dhënë Zaevit, sociologjikisht merr shpjegim se nuk është mbledhur aq nga “simpatia”, por me shumicë është mbledhur nga interesat e një eshaloni administrativ që e ka vendosur në sistem partia e tij nga viti 1991 dhe gjer më sot, dhe që tash ka gjasa edhe më reale ta konsolidojë dhe ta funkzionalizojë edhe elektoralisht”, tha Mememeti, për Almakos.
Ndërsa, eksperti Juridik, Osman Kadriu thotë se nuk kemi dëgjuar në ndonjë vend në botë, ai që punon s’paguhet, siç ndodh me institucionet tona, ku pagat nuk merren me muaj të tërë, ndërsa, ai që s’punon paguhet, si administratorët e “punësuar”, nga partitë ose qeveria.
“Asnjë shtet në botë konform numrit të banorëve nuk ka këtë administratë të mbingarkuar, siç është rasti në R. e Maqedonisë. Devijimi më i rëndë që poashtu nuk ekziston askund është se asnjë shtet në botë nuk paguan për punë jo efektive, me fjalë të tjera për personat që figurojnë se janë në marrëdhënie pune, ndërsa nuk shkojnë në punë”, thotë Kadriu, për Almakos.
Ai shton se është padrejtësi e madhe, sepse ka shumë qytetarë të inkuadruar që punojnë 30 ditë, e kur vjen data për të tërheq rrogën, ai nuk e merr, pra s’mund ta siguron pagën elementare nga puna që bën. A janë të tjerët, të cilët nuk punojnë e marrin rrogën e qëndrojnë nëpër shtëpi, madje kemi informata se janë të angazhuar edhe në vende të tjera a marrin rrogën në emër të administratorëve të inkuadrar apo pa punë, thotë Kadriu, për Almakos.
Delvina Kërluku
Almakos.com

