Në Gjykatën Themelore në Strugë filloi i pari nga katër gjykimet e parapara për sot kundër kryetarit Ramiz Merko – për pllakën në objektin e komunës, dy për drejtorët e shkollave dhe për blerjen e “audisë”.
Gjykimi i parë sot ka të bëjë me emërimin e paligjshëm të drejtorëve të shkollave dhe është në procedurë provash, duke vazhduar me marrjen në pyetje të ish-ministrit të Arsimit nga BDI, Jeton Shaqiri.
Shaqiri, së bashku me shefin e sektorit për financa në Komunën e Strugës, Abedin Nuroski, duhej të merrej në pyetje në seancën e kaluar në tetor të vitit të kaluar është, por nuk ka ndodhur për shkak të mosdorëzimit të duhur tek dëshmitarët.
Kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për shkak të përfshirjes në korrupsion. Ndaj tij janë ngritur disa (nëntë) akuza për sjellje të pahijshme në detyrë.