Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, e ka cilësuar lajm të mirë për rajonin dhe botën demokratike humbjen e Aleksandar Vuçiçit dhe Ivica Daçiqit në zgjedhjet në Serbi, duke përshëndetur ndryshimin politik pas 12 vitesh pushtet autokratik.
Në një postim publik, Kasami ka përgëzuar Koalicionin Shqiptar për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se bashkimi dhe bashkëpunimi politik janë çelësi i suksesit të shqiptarëve të Luginës.
“Ky rezultat dëshmoi se forca jonë është te bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi politik”, ka shkruar Kasami.
Ai ka shprehur shpresën se zhvillimet e fundit do të hapin një kapitull të ri për Serbinë, ku do të respektohen të drejtat e pakicave, si dhe sovraniteti dhe pavarësia e vendeve fqinje.
Kasami ka theksuar gjithashtu se e ardhmja e rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian, ndërsa politikat hegjemoniste, sipas tij, nuk kanë vend në këtë rrugëtim.



