Ndërsa Neymar po merrte trajtim mjekësor për një shqetësim në pulpë, stafi i Santosit dorëzoi fletën për zëvendësimin e Escobarit (numri 31). Mirëpo, gjyqtari i katërt ngriti gabimisht tabelën me numrin 10 të Neymarit, duke futur në fushë Robinho Jr.
Neymar u rikthye në lojë pa e ditur gabimin, derisa vuri re se shoku i skuadrës kishte zënë vendin e tij. I tërbuar, ai u bëri shenjë kamerave me fletën zyrtare në dorë për të treguar skandalin.
Për shkak të protestave dhe faktit që rihyri në fushë pa leje, ylli brazilian u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa arbitri kryesor refuzoi ta anulonte vendimin. Klubi i Santosit e cilësoi ngjarjen në rrjetet sociale si një “gabim të pashpjegueshëm”.
Përveç këtij kaosi, Santosi pësoi një humbje të rëndë 0-3 në shtëpi, duke mbetur në vendin e 16-të, fill mbi zonën e rënies nga kategoria. Ndeshja pati edhe rrethanave të tjera dramatike: mbrojtësi Luan Peres u largua me ambulancë pas një goditjeje në fytyrë, ndërsa skuadra mbeti me 10 lojtarë pas një kartoni të kuq.
Ky incident erdhi në momentin më të keq të mundshëm për Neymarin. Vetëm një ditë më pas, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, do të shpallë listën për Kupën e Botës, duke paralajmëruar se ftesat do të bazoheshin vetëm te forma fizike dhe jo te sentimentet.
Ky gabim trashanik i arbitrit i kushtoi golashënuesit më të mirë të Seleçãos 25 minuta të çmuara loje, pikërisht atëherë kur i duhej të provonte gatishmërinë e tij për Botëror.


