VOLTIZA DURO/ Ka hyrë në fuqi udhëzimi për eksportin e produkteve dhe nënprodukteve të bimës së kanabisit për qëllime industriale.
Udhëzimi ka hyrë në fuqi pak ditë më parë, pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe në të përcaktohen qartë të gjitha kriteret dhe dokumentacioni që duhet plotësuar nga ana e subjekteve për realizimin e eksportit. “Subjekti i lejuar zbaton rregulla, standarde dhe procedura të përshtatshme në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi, për eksportin e nënprodukteve dhe produkteve të bimës së kanabisit për qëllime industriale, në mënyrë që të garantohet përmbushja e kushteve të sigurisë dhe të cilësisë, të parandalohet aksesi i paautorizuar, si dhe çdo formë tjetërsimi e paligjshme, si dhe respektimi i parashikimeve në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi”, – thuhet në udhëzim.
Në këtë të fundit bëhet me dije se subjekti i lejuar është përgjegjës për përgatitjen dhe plotësimin e dokumentacionit për eksport, si dhe përmbushjen e kushteve të cilësisë të nënprodukteve dhe produkteve të bimës e kanabisit që do të eksportohen, si dhe duhet të pajiset për çdo ngarkesë me autorizimin përkatës të eksportit. “Subjekti i lejuar eksporton nënprodukte dhe produkte të bimës së kanabisit, vetëm për subjekte pritëse, të cilat janë të pajisura me certifikatë importi apo dokument tjetër analog me këtë certifikatë të lëshuar sipas kërkesave të legjislacionit të vendit pritës, si dhe dokumentacion përkatës. Agjencia dhe struktura përgjegjëse për doganat bashkëpunojnë për të siguruar realizimin e eksportit të nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të kanabisit për qëllime industriale, në kohë dhe në përputhje me procedurat administrative të përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi”, – nënvizohet më tej.
KRITERET DHE PROCEDURA
Eksportuesi duhet të përmbushë kriteret si: të jetë i pajisur paraprakisht me lejen përkatëse për kryerjen e aktivitetit të eksportit; të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi lidhur me: shenjimin dhe gjurmimin, standardet për çdo fazë të procesit të kultivimit, paketimin dhe etiketimin.
IV. Rregullat dhe kushtet e sigurisë së transportit: Eksportuesi plotëson kriteret dhe kushtet e tjera të përcaktuara nga ligji nr. 61/2023 dhe aktet nënligjore përkatëse në zbatim të tij. Agjencia, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për autorizim eksporti me shkrim, merr në shqyrtim kërkesën e subjektit të lejuar dhe verifikon dokumentacionin e përcaktuar në nenin 6, sipas parashikimeve të këtij udhëzimi.
Në rastet kur Agjencia gjatë shqyrtimit të kërkesës konstaton mangësi të dokumentacionit, kërkon me shkresë plotësimin e tyre. Subjekti brenda 5 ditë pune plotëson mangësitë e konstatuara, i përcjell në Agjenci dhe i hedh në regjistër, në të kundërt kërkesa konsiderohet e refuzuar. Për këtë subjekti njoftohet me shkresë nga Agjencia, njëkohësisht njoftimi pasqyrohet në regjistër. Agjencia ka të drejtë të kryejë verifikimet përkatëse të dokumentacionit të përcjellë nga subjekti i lejuar kur ka indicie apo konstaton mospërputhje në dokumentet e përcjella. Kur dokumentacioni është i plotë dhe subjekti plotëson të gjitha kërkesat, Agjencia lëshon autorizimin për eksport.
“Autorizimi i eksportit përmban këto të dhëna: emrin dhe llojin e produktit, sasinë që do të eksportohet; emrin, adresën dhe NIPT-in e eksportuesit, si dhe emrin ndërkombëtar të pronarit (nëse ka); emrin, adresën dhe NIPT-in e subjektit pritës; datën kur do të kryhet eksporti; nëse vendi pritës parashikon detyrimin për t’u pajisur me certifikatë importi apo dokument tjetër analog me këtë certifikatë, numrin dhe datën e certifikatës së importit dhe autoritetin që e ka lëshuar atë; dh) pikën doganore ku do të kryhen procedurat doganore të eksportit; e) kodin e Nomenklaturës së Mallrave që eksportohen”, – bëhet me dije në udhëzim.
SHKELJET
Në rast se gjatë procedurave doganore që kryhen në pikën kufitare të daljes konstatohet se, subjekti eksporton ngarkesë në sasi të ndryshme nga ajo e deklaruar dhe e autorizuar, apo gjatë skanimit evidentohet prania e produkteve të tjera jo në përputhje me autorizimin, autoriteti doganor njofton menjëherë në numrin dhe adresën elektronike të kontaktit të vendosur në dispozicion nga palët paraprakisht, Policinë e Shtetit, Agjencinë dhe eksportuesin për faktet e konstatuara dhe vendimmarrjet. Autoriteti doganor vendos kryerjen e kontrollit fizik të ngarkesës në ambientet e pikës doganore, duke siguruar kushtet e ruajtjes së produktit që eksportohet.
Nëse sasia është e ndryshme me atë të deklaruar dhe autorizuar, Agjencia pas kryerjes së kontrollit fizik dhe njoftimit me shkrim nga autoriteti doganor merr masë administrative për subjektin e lejuar. Në vijim subjekti kërkon pranë Agjencisë korrigjimin e sasisë së deklaruar në autorizim dhe Agjencia brenda 5 ditëve lëshon autorizimin. Nëse produkti është i paligjshëm dhe konfiskohet apo sekuestrohet nga Policia e Shtetit, njoftohet me shkrim dhe Agjencia. Agjencia, me marrjen e njoftimit shfuqizon autorizimin. “Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit, Policia e Shtetit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoritetet Doganore, institucionet e tjera që zbatojnë përcaktime nga ky udhëzim dhe subjektet e lejuara”, – thuhet në udhëzim.
DOKUMENTACIONI PËR PAJISJEN ME AUTORIZIM EKSPORTI
1. Subjekti i lejuar, që kërkon të pajiset me autorizim eksporti të nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të bimës së kanabisit për qëllime industriale, paraqet pranë Agjencisë, si dhe hedh në regjistër kërkesën për autorizim dhe dokumentacionin shoqërues, të paktën 45 (dyzet e pesë) ditë para datës së parashikuar për kryerjen e eksportit.
2. Kërkesa për t’u pajisur me autorizim eksporti përmban të dhënat:
a) Emërtimi dhe lloji i produktit që eksportohet, varietetin e bimës së kanabisit, qëllimin e përdorimit dhe sasinë për secilën formë.
b) Emërtimi, NIPT-i dhe adresa e subjektit të lejuar, si dhe emri i përfaqësuesit ligjor të tij apo të personit të autorizuar për të ndjekur procedurën e lëshimit të autorizimit.
c) Emërtimi, NIPT-i dhe adresa e subjektit importues, emri i përfaqësuesit ligjor të tij, si dhe të dhënat e kontaktit (adresa e-mail dhe numri i telefonit).
ç) Pika doganore ku parashikohet dalja e ngarkesës nga territori i Republikës Shqipërisë.
d) Datën e parashikuar për kryerjen e eksportit.
dh) Të dhënat e shenjës unike të identifikimit dhe të gjurmimit për nënproduktet dhe produktet përfundimtare që eksportohen.
e) Përqendrimin e THC-së, të shprehur si përqindje, të bimës së thatë, të nënproduktit apo produktit përfundimtar.
ë) Pikën doganore ku do të bëhet procedura doganore e eksportit.
f) Kodin sipas Nomenklaturës së Mallrave.
Dokumentacioni shoqërues që subjekti duhet të paraqesë për pajisjen me autorizim eksporti është si vijon:
a) Kopja e certifikatës së analizës së nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të kanabisit për qëllime industriale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
b) Kopja e kontratës së shërbimit me shoqërinë transportuese, nëse transporti nuk kryhet nga vetë subjekti.
c) Kopja e kontratës së shitjes me subjektin e huaj importues, e përkthyer dhe noterizuar.
ç) Kopja e certifikatës së importit apo dokument tjetër analog, lëshuar nga autoritetet kompetente të vendit pritës, për vendet që parashikojnë detyrimin për t’u pajisur me këtë dokument.
/Gazeta Panorama