Kadastra e Durrësit është bërë qendër e polemikave në lidhje me mangësitë e krijuara në dokumente dhe për të zbardhur krimet që mund të jenë kryer me përvetësimin e pronave publike.
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës ka rrëfyer mbrëmjen e së martës shkeljet ligjore dhe manipulimet në regjistrimin e pronave në Kadastrën e Durrësit, duke deklaruar se nga regjistrat e këtoij institucioni janë grisur fletë.
Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, Lame tha se nga 1063 regjistra në total, janë dëmtuar 908 prej tyre.
“Kadastra e Durrësit nuk kishte seli. Ishte në një qendër biznesi private. U kalua kjo fazë duke e marrë fare Kadastrën duke e sjellë në Tiranë. Atë ditë është marrë me polici sepse pati një rezistencë. Në këtë moment filluan të dilnin çështje pak a shumë sëmundja e Vlorës. Por me një risi. Në Vlorë s’kishte pasur fare regjistër, në Durrës ngaqë kishte regjistër detyroheshin të grisnin fletët. Durrësi kishte 1063 regjistra me 250 fletë secili të këtyre 30 viteve, vetëm 152 dilnin pa dëmtime dhe 908 regjistra janë të dëmtuar duke filluar që nga 730 faqe që mungojnë tërësisht, kalojnë nga 12 tek 15. Kur janë hequr me kujdes e kanë hequr dhe rrënjën e faqes. 243 faëe janë të zëvendësuara sepse dallojnë nga ngjyra”, tha Lame.
Çfarë ndodh me tokat që kanë 4 pronarë
Gjatë intervistës, Lame tha se në këto raste mund të vendos vetëm gjykata dhe më pas duhet të bëhen verifikimet për të marrë pronësinë.
“Atyre iu themi vëllezër shkoni e zgjidheni në gjyq me njëri-tjetrin. Shko sot në një gjykatë italiane, mbi gjysmat e gjyqeve janë për pronat. Kur ka në këtë shtet dhe në Shqipëri… Në jug, përgjithësisht në Vlorë, vije ti për pronën, ta shënonin në regjistër dhe të jepnin vërtetim hipotekor, vinte tjetri dhe i jepnin dhe atij tjetrit letrën dhe të dy këta kishin dokumentin në shtëpi. Atje nuk kishte filluar në bregdet sherri për pronat sepse nuk kishin filluar ndërtimet. Të dy thonin: Kur të vijë radha, e kam këtu poshtë jastëkut”, theksoi Lame.
Prokuroria nis hetimet për dëmtimin e regjistrave
Me anë të një njoftimi për mediat, Prokuroria njoftoi se është regjistruar procedimi penal dhe është ngritur grupi hetimor I përbërë nga juristë dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes.
“Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal. Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes”, thekson Prokuroria Durrës.
“Mjaft më me këtë histori”, Yuri Kim: Gjeni përgjegjësit!
Një ditë më parë, lidhur me problematikën reagoi edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Duke kërkuar vendosjen para drejtësisë së përgjegjësve të autorëve që zhdukën dokumentet nga Kadastra e Durrësit, ajo nënkuptoi se institucioni duhet ta zgjidhë çështjen sa më shpejt.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasadorja Kim shkruan se duhet që të ndërmerren hapa konkrete për të zgjidhur mangësitë e krijuara në dokumente dhe për të zbardhur krimet që mund të jenë kryer me përvetësimin e pronave publike.
“Mirëpresim raportin e sinqertë të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim hapa konkretë për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri. Hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA.
Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE,”-shkruan ambasadorja Kim në Twitter.
Janë edhe 1548 faqe bosh, janë brenda regjistrit; Artan Lame
Të mërkurën, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame deklaroi se drejtoria e Durrësit ka ngritur një grup pune për të bërë inventarizimin e dokumenteve në hipotekë, duke bërë me dije se deklaroi se mungojnë disa faqe dhe në këtë mënyrë regjistri ndryshon.
“Këto faqe edhe kur i kanë grisur i kanë grisur pa kujdes. I ka mbetur vetëm rrënja e faqes që është grisur. Janë edhe 1548 faqe bosh, janë brenda regjistrit. Mjaft më me këtë histori dhe këtë situatë”– tha Lame ndërsa shtoi se kushdo që ka fuqi të shkojë të ankohet te kryeministri që t’i ndryshojë.
Në regjistrat e Kadastrës së Durrësit mungojnë 730 fletë
Më tej, Lame tha se arkivi ka 1063 regjistra dhe nga këto 152 janë në gjendje të mirë, ndërsa të tjerët paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre, por edhe se mungojnë 730 fletë.
“Situata e trashëguar në zyrën e arkivit të regjistrimit të pasurive në Durrës e kalon çdo imagjinatë. Arkivi ka 1063 regjistra dhe nga këto 152 regjistra të pasurive të paluajtshme janë në gjendje të mirë, të tjerët paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre. Në këto regjistra mungojnë 730 fletë. Mjafton të marrësh një nga këto regjistra dhe shikon që fleta nga fleta ndryshon. Kushdo që ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme në administratë e di që regjistrat sekretohen, lidhen në mënyrë të pahapshme dhe nuk duhet të preken. Ti mund të shkruash dhe të fshish, por jo të heqësh faqe. Pra vetëm faqet që mungojnë tërësisht. Rezultojnë 569 faqe të dubluara”, shtoi Lame.
“Po patët fuqi të shkoni te Rama!”
Gjithashtu, Lame deklaroi se ata persona që kanë “këllqe” le të shkojnë te Kryeministri Edi Rama dhe t’i thonë t’iu ndërrojë ca fletë te raporti i tij.
“Vetë drejtoria është gjendur nën sikletet e bërjes së kësaj pune nga ata që nuk e donin të bëhej këtë gjë. Duke e lënë minimalisht në dy institucione po ua them të gjithëve që mos na bini më në qafë sepse ky material është i shpërndarë edhe në zyra të tjera po patët fuqi të shkoni te Rama ti thoni nda ndërro ca flete të ai raporti i Lames le të shkojnë, përndryshe është e kot të na ndërhyjnë sepse nuk ndërhyhet më”, u shpreh Lame.



