Këshilli i Prokurorëve e shqyrtoi dhe miratoi raportin e katër gjashtëmujor për punën e Prokurorisë Speciale dhe e inkurajoi këtë institucion që të vazhdojë punën. Kole Shteriev i bëri apel PSP-së që të vazhdojë të shpalosë prova dhe fakte të reja për lëndët që janë para përmbylljes nëse vërtetë ka material për vepra penale të pazbuluara.
Shteriov nuk kishte përgjigje konkrete nëse PSP-ja duhet të bëhet pjesë e Prokurorisë Themelore.
KOLE SHTERIEV, KRYETAR I KËSHILLIT TË PROKURORËVE
“Prokurorja Katica tregoi gatishmëri për të vazhduar punën, pasi më keq është të punojë sesa të mos punojë në këtë drejtim. Nuk mund ta vendosim kokën në rërë para diçkaje që qartazi po ndodh. Në lëndë ku ekzistojnë njohuri që definohen si dyshime të bazuara nuk mund t’i heshtim. Besoj se do të gjendet ndonjë mënyrë për të vazhduar me trajtimin e këtyre gjetjeve pasi nëse ndodh e kundërta, lënia pas dore e këtyre do jetë shumë keq”
Ndërsa, Janeva njoftoi se ekipi i saj po punon ende në procedura parahetimore dhe do të vazhdojë me përndjekjen e krimit dhe korrupsionit. Por, në mënyrë që këto hetime të efektivizohen, ajo kërkoi përsëri zgjatjen e mandatit për ngritjen e akuzave.
KATICA JANEVA, PROKURORE SPECIALE
“Ne edhe më tej po punojmë në procedura parahetimore. Do të hapim hetime gjatë periudhës së ardhshme. Lidhur me atë se a do të ngrejmë akuza, shpresojmë se gjatë periudhës së ardhshme do të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore në interes të PSP, por nëse nuk ndodh kjo, në momentin që do të vijë koha do ta njoftojmë Këshillin dhe do kumtojmë hapat tona”
Sipas praktikës së mëhershme, Janeva do duhet ta prezantojë raportin edhe para deputetëve, ku pati përvojë të hidhur me VMRO DPMNE-në deputetët e së cilës e nxorrën nga takti me ofendime dhe nënçmime. Kjo e pati shtyrë Janevën që në mes të debatit në komision ta lëshojë sallën dhe të refuzojë arsyetime të mëtutjeshme në seancë plenare. /Ferikan Iljazi Arifi

