Sipas të dhënave të Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, përqindja e përfaqësimit të grave në sektorin privat momentalisht arrin nga dy deri në dhjetë përqind, ndërkaq ato janë më së shumti të përfaqësuara në sektorin e shërbimeve. Sipas drejtorit operativ Aleksandar Zarkov, nëse vazhdon bashkëpunimi mes Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Agjencisë për Punësim dhe Shoqatës së Grave Afariste në Maqedoni, do të mund të rritet përqindja e përfaqësimit të grave në sektorin privat.
Drejtoresha e Agjencisë për Punësim në Shkup, Sllobodanka Aleksovska, tha se masat për punësim të cilat agjencia ka filluar t’i zbatojë që nga viti 2007, kanë kujdes që gratë të përfaqësohen më së paku 30 përqind. Ajo tha se punësimi më i madh i grave përfaqësohet përmes masës për vetëpunësim me grant, vetëpunësim me kreditim si dhe trajnim tek ndonjë punëdhënës i njohur.
“Në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2016, prej gjithsej 108 mijë e 424 pjesëmarrësve, mbi 51 mijë e 651 janë gra pjesëmarrëse në masat dhe shërbimet aktive, që do të thotë se mbi 50 përqind e pjesëmarrësve në masat aktive dhe politika janë gratë”, ka thënë Sllobodanka Aleksovska, Drejtoresh e Agjencisë për punësim.
Nga ana tjetër kryetarja e Shoqatës së Grave Afariste të Maqedonisë, Valentina Disoska mes tjerash u përqendrua në përfaqësimin gjinor në sipërmarrësi.
“Sipas tre indikatorëve kyç me të cilët matet balancimi gjinor, siç janë indeksi i pabarazisë gjinore i Kombeve të Bashkuara, hendeku global mes gjinive nga Forumi Ekonomik Botëror, si dhe indeksi i OSID-it për institucionet sociale dhe indeksi gjinor, ne ende ngecim prapa balancimit gjinor.”, ka thënë Valentina Disoska, Kryetare e shoqatës së grave afariste të Maqedonisë.
Ajo shtoi se duhet në mënyrë aktive të punohet në përforcimin e sipërmarrësisë së grave përmes nismave të ndryshme.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Ja sa është përfaqësimi i grave në sektorin privat by tvshenjaofficial