Almakos: Zotëri Nuredini jeni nga të vetmit mërgimtar që jeni kthyer ne vendlindjen tuaj për të kontribuuar, çka ju shtyu të ndërrmerni një veprim të tillë?
Nuredini: Mendoj që nuk jam i vetmi, ka shumë shembuj të personave të suksesshëm që janë kthyer në vendin tonë, kanë investuar, madje edhe kanë krijuar vende të reja pune. Gjithsesi, rasti im është më i dukshëm për shkak të natyrës së punës dhe funksionit tim publik. Dua të theksoj që këtë vendim për tu kthyer e solla në dakordim me familjen time, sepse nënkuptohej që do të më duhej të jetoja larg tyre. Megjithatë, është nder dhe privilegj që më jepet mundësia të përfaqësoj vendim tim dhe të kontribuoj, ashtu siç ka bërë familja ime gjithmonë.
Për mua është e qartë që standardi i jetesës këtu nuk është në shkallë të lartë, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të dorzohemi, përkundrazi, ky është vendi ynë dhe ne të gjithë duhet të pëpiqemi ta përmirsojmë atë. Kjo mund të arrihet në qoftë se ne punojmë së bashku dhe lëmë menjëanë politikën, sidomos kur bëhet fjalë për infrastrukturën e vendit tonë dhe krijimin e një ambienti të pastër për familjet tona.
Almakos: Po çfarë do ju thoshi mërgimtarëve të tjerë, të cilët edhe pse kanë ide dhe qëllime për investime të ndryshme, sikur janë skeptik të kthehen në vendin e tyre të lindjes për të ndërmarë çfarëdo iniciative progresive?
Nuredini: Siç e përmenda më parë, tashmë ka persona që kthehen dhe investojnë në vendin tonë, por kjo nuk është e majftueshme. Duhet të jemi më të zëshëm dhe më të qartë për faktin se politika, në të vertetë, nuk luan rol në tërheqjen e qytetarëve dhe të rinjve që të kthehen në vendin e tyre dhe të investojnë. Ne duhet ti bëjmë të njohura mundësitë që ia ofron shteti ynë diasporës, me fjalë të tjera, që shteti ofron subvencione për të ndihmuar fillimin e bizneseve. Megjithatë, më e rëndësishme për të gjithë ne është të drejtojmë fokusin në përforcimin e këtyre tre shtyllave: sistemit shëndetësor, sistemit arsimor që t’ju mundësoj femijëve tanë të konkurrojnë ndërkombëtarisht dhe infrastrukturës e cila mundëson krijimin e një ambienti të pastër dhe të shëndetshëm. Sa i përket infrastrukturës, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rregullimin dhe ndërtimin e rrugëve, por edhe për investim në impiante për trajtimin e ujrave të zeza, në rrjetet e ujrave të zeza, në deponi me standarde ndërkombëtare dhe në sisteme për grumbullimin e mbeturinave. Investime këto, të cilat do të zgjedhin problemin e deponimit të paligjshëm të mbeturinave. Shumë prej këtyre pikave të lartpërmendura janë në proces të zbatimit dhe nëse nuk ka pengesa apo kriza të paparashikuara, jam i sigurtë që brenda 2 deri në 4 vitet e ardhshme, do të jenë plotësisht të ndërtuara dhe funksionale, natyrisht në varësi të madhësisë së infrastrukturës.
Deri diku edhe e kuptoj qëndrimin skeptik të mërgimtarëve, megjithatë, ne tani më kemi filluar bisedimet me Bashimin Europian (BE) dhe ky fakt duhet të shërbej si një garanci që ne jemi nën mbikëqyrje të BE-së dhe skemi zgjidhje tjetër veçse të respektojmë vlerat dhe standarded e tyre.
Almakos: Meqë vetë jeni mërgimtarë, a keni bërë ndonjë plan konkret për të sjellë edhe të rinj të tjerë në vendlindje – me ide inovative që do sillnin frymë të re në shtetin tonë edhe drejt rrugëtimit tonë euro-atlantik?
Nuredini: Mënyra e vetme për të arritur këtë qëllim është të krijojmë standard më të lart të jetesës dhe të zvogëlojmë burokracinë. Për ti kthyer të rinjtë në vendin e tyre dhe për të përfituar prej përvojës dhe ekspertizës së tyre duhet të ofrojmë process sa më të hapur dhe transparent. Sektori privat duhet të mbështetet plotësisht si dhe të depolitizohet. Poashtu, punëdhënësit duhet që të regjistrojnë dhe ti trajtojnë punonjësit sipas ligjit. Sa i përket aspektit të mjedisit jetësor, ajo që unë dua të theksoj dhe të promovoj te të rinjtë është që përderisa ne krijojmë zonat e mbrojtura dhe parqet nacionale që sigurojnë një mjedis jetësor të shëndetshëm, në të njetën kohë ofrohen mundësi të qëndrueshme ekonomike për menaxhimin e këtyre zonave.