Shqipëria është e angazhuar për të mbrojtur vlerat e pakicës maqedonase në Shqipëri. Kështu deklaroi persidenti i Shqipërisë Ilir Meta, pas takimit në Shkup me homologun e tij Gjorge Ivanov. Presidenti Meta tha se Shqipëria dhe Maqedonia mund të jenë shembull për bashkëpunim rajonal.
Ilir Meta, Presidenti i Shqipërisë
“Më mirë të harxhojmë kohën duke punuar me njëri tjetrin, duke mbështetur njëri tjetrin, dhe duke përfituar të gjithë nga ky bashkëpunim dhe mirëkuptim se sa të gjykojmë njëri tjetrin për çështjet që i takojnë së kaluarës”.
I pyetur se si e komenton qasjen e gjyqësorit ndaj shqiptarëve në Maqedoni, por edhe qëndrimin si e Qeverisë aktuale si e përmbajtur ndaj anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, presidenti Ilir Meta tha se Qeveria duhet të veprojë sipas standardeve evropiane.
Ilir Meta, Presidenti i R. Shqipërisë
“Unë besoj se qeveria e re e cila është përkushtuar për t’i dhënë një hov çështjes së integrimit evropian për anëtarësim në NATO, padyshim që është dhe do të jetë e angazhuar për të përmirësuar edhe më tej marrëdhëniet me të gjitha vendet fqinje edhe me Kosovën. Dhe besoj që edhe autoritetet e Maqedonisë dhe në mënyrë të veçantë ato gjyqësore do të jenë të interesuar për të demonstruar standarde evropiane”.
Nga ana tjetër, presidenti Gjorge Ivanov, deklaroi se me homologun e tij shqiptar kanë biseduar për bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe infrastrukturor. Ndërsa në veçanti e ka falënderuar presidentin Ilir Meta për mbështetjen që i jep komunitetit maqedonas në Shqipëri.
Gjorge Ivanov, Presidenti i R. Maqedonisë
“Konstatuam se kjo më së shumti na lidh. Metës i shpreha falënderim për kujdesin e tij të deritanishëm për maqedonasit në Shqipëri, për të gjitha përpjekjet e tij për avancimin e situatës së tyre. Ka raste individuale të cilat nuk duhet të gjenerohen dhe çdo herë duhet ta shohim imazhin në globalitet dhe t’i nxitim të gjithë shembujt pozitivë të cilat i përmirësojnë marrëdhëniet midis dy vendeve”.
Pas takimit me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov, Meta u takua me kryetarin e Kuventi Talat Xhaferri, por do të zhvillojë takime dhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryetarët e partive parlamentare. Gjatë qëndrimit në Maqedoni, presidenti Meta do të vizitojë edhe Shtëpinë e Alfabetit në Manastir.

