Në tri javët e fundit vërehet stabilizimi I numrit të të infektuarve me COVID-19, kurse javën e fundit një ulje e ndjeshme prej 31% – thuhet në Raportin javor të ISHP-së, për periudhën nga 04 deri më 10 Prill.
Në 28 qytete të Maqedonisë së Veriut regjistrohet ulje e incidencës në dy javët e fundit.
Janë regjistruar 175 riinfektime me ulje prej 36.1% dhe 10 raste të vdekjeve apo për 23.1% më pak se java paraprake. Në vendin tonë vazhdon të jetë I pranishëm varianti BA.1 dhe BA.2 i Omicronit.
Sipas raporteve nga Spitalet, për momentin të shtruar janë 63 pacientë – 11.3% më pak se java e kaluar. Prej tyre 25 janë me oksigjeno-terapi, kurse nuk ka pacientë në ventilim mekanik.
Deri më 22 Prill, me një dozë të vaksinës anti-covid janë vaksinuar 873.332 qytetarë. Komplet të vaksinuar apo me dy doza janë 853.786, kurse dozën e tretë e kanë marrë 155.817 qytetarë.
Deri më 10 Prill, sipas Raportit të ISHP-së, në Maqedoninë e Veriut janë paraqitur 307.817 raste të koronavirusit, kurse 9.252 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e komplikimeve nga COVID-19.
Sipas kategorizimit të rrezikut dhe vlerësimit të situatës, Maqedonia e Veriut është në fazë të transmisionit të gjerë – nën nivel 2, me kapacitete adekuate për përgjigje.
Ndërkohë, Shtabi I Krizës I Qeverisë, ka pranuar rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive që të hiqet mbajtja e maskës në hapësira të mbyllura. Përjashtimet do të vlejnë për transportin public, shtëpitë e shëndetit dhe azilet e pleqve. Vendimi duhet të kalojë në seancë qeverie.
Në mesin e konkluzioneve të miratuara që KSI-ja ia ka dorëzuar Qeverisë janë edhe heqja e mbajtjes së maskave mbrojtëse nëpër shkollat e mesme si dhe heqja e ndalesës për ekskursione dhe mësim në natyrë.



