9 May 2018 / 16:00
Ministria e Punëve të Jashtme gjatë një kontrolle të punës së Qeverisë së kaluar, ka hasur keqpërdorime në blerjen dhe mirëmbajtjen e konsullatave të Maqedonisë. Rreth 50 milion euro janë ndarë për blerjen e 15 objekteve konsullore, por në fakt janë blerë vetëm 5. Disa nga objektet ishin ndërtuar pa leje ndërtimi e disa tjerë me fryrje masive të çmimeve. Sekretari gjeneral i Ministrisë së Punëve të Jashtme Viktor Dimovski, duke u bazuar në dokumentacionet e siguruara, dyshon se në këtë rrjet janë përfshirë edhe një zyrë avokature e avokatit Endre Feher i cili ka kryer të gjitha shërbimet juridike për shitblerjen e objekteve dhe kompania e ndërtimit nën pronësi të Hajrudin Boshmiroviç, e cila ka bërë ndërtimin dhe rinovimin e objekteve .
Shembull tipik është objekti në Vjenë. Shuma e objektit më të madh ka kushtuar 3.5 milion euro me provizion të agjencisë prej 105 mijë eurosh dhe rikonstruktim që ka arritur deri në 1 milion e 400 mijë euro. Nga kontrolli i kryer në dokumentacionet, ekzistojnë indikacione se shitësi i objektit para vetëm 1 viti për të njëjtin objekt ka paguar 1 milion e 460 mijë euro. Sipas marrëveshjes së shitblerjes, shihet se firma është formuar me të vetmin qëllim që ta bëj shitjen e këtij objekti. Në procedurën për blerjen e këtij objekti në Vjenë por edhe të objekteve të tjera, ka qenë e përfshirë një zyrë avokature si përfaqësues ligjor i dy palëve – tha Viktor Dimovski, Sekretar gjeneral i MPJ-së.
Ish ministri i jashtëm Antonio Milloshovski për Alsat-M mohoi të ketë pasur keqpërdorime të tilla. Sipas tij, një vendimi për blerjen e objekteve ka qenë plan afatgjatë që të mos shpenzohen para në pagimin e qirave për objekte të ambasadave.
Ne kemi pasur politika afatgjate për kursim të mjeteve financiare andaj edhe kemi vendos që t’i blejmë objektet dhe të mos paguajmë qira. Qeveria ka sjell vendime ndërsa me këtë punë është marr Sekretari Gjeneral i Ministrisë Igor Ilievski dhe komisionet e formuara për këtë çështje. Unë nuk kam propozuar asgjë e as nuk kam nënshkruar asgjë. Ftoj Qeverinë aktuale që të hulumtoj mirë rastin – tha Antonio Milloshovski, Ish-ministër i Punëve të Jashtme.
Dokumentacioni i publikuar për keqpërdorime do të dërgohet në Prokurorinë Publike për hetime të mëtutjeshme.
Besian Leka


