Intervistë e Presidentit Meta për gazetën “Panorama” dhënë kryeredaktores, Valentina Madani
Intervistoi: Valentina Madani
Z.Meta u bënë gati dy javë nga arrestimi juaj në burg. Si ndiheni dhe a e prisnit?
Ka një moment interesant kur Mbretëresha e Britanisë së Madhe priti Vaclav Havelin si President i parë demokratik i Çekosllovakisë.
Ajo e pyet se si ndihej që ndodhej në Pallatin Mbretëror të Madhërisë së Saj kur vetëm disa kohë më parë kishte qenë në burgjet e regjimit komunist.
Madhëria Juaj, i thotë Haveli, edhe sikur të më vënë prangat përsëri sapo të dal nga Pallati juaj nuk më bën më përshtypje.
Kështu që për shkak të eksperiencave të ndryshme dhe shumë të vështira në këto 34 vite, që nga Dhjetori ’90 e deri tani, vështirë të tronditem nga diçka, aq më tepër që prej vitesh unë e kam faktuar se në vend ka ndodhur një grusht shteti përmes shndërrimit të Reformës në Drejtësi në Ramaformë dhe sot këtu nuk sundon ligji dhe shteti i së drejtës, por një juntë policore, gjyqësore e bandash.
Por nuk u dukët aq i qetë në momentin e arrestimit?
Ai nuk ishte arrestim, por rrëmbim i mirëfilltë ashtu siç veprojnë vetëm bandat.
Si mund të inskenohet për minuta të tëra bllokimi i trafikut në një nga akset kryesore të hyrjes në kryeqytet nga dhjetëra forca me maska, me armatim të rëndë dhe me makina private, të cilat bënin veprime fiktive sikur kontrollonin makinat e qytetarëve për të ardhur si banditë te makina ku udhëtoja unë bashkë me Sekretarin për Organizimin të Partisë së Lirisë, Artimis Peca.
Sjellja e tyre banditeske, rrugaçërore duke hyrë me forcë në automjet bashkë me automatikët me maska në kokë, pa pranuar të identifikohen se kush janë, se çfarë përfaqësojnë dhe pa paraqitur asnjë dokument ligjor apo shkresë zyrtare që urdhëronte ndalimin tim.
Ndaj unë refuzova të pranoja rrëmbimin duke besuar se mund të ishin edhe banditë si ata që rrëmbyen ish-Kryeministrin e Italisë, Aldo Moro.
Edhe ata me uniforma policie e bënë rrëmbimin.
Gënjeshtrat e pacipa se unë kam ushtruar dhunë duan vetëm të justifikojnë paligjshmërinë ekstreme, dhunimin e Kushtetutës dhe të ligjit, por edhe të vetë urdhrit për “arrest” të SPAK-ut.
Po kështu ata prangosën dhe rrëmbyen edhe Sekretarin për Organizimin të PL, Artimis Peca për të cilin nuk kishte patur asnjë urdhër ndalimi.
Njëkohësisht ata nuk na lejuan të kontaktojmë me avokatët dhe nuk na njohën me të drejtat tona sipas ligjit.
Vetëm pas 2 orësh në Drejtorinë e Policisë m’u dha vendimi gjyqësor, ndërsa Artimis Peca u lirua pasi nuk kishte asnjë vendim.
Pra ata kafshë, se punonjës policie s’mund t’i quash, po të kishin qenë dhe dy persona të tjerë në makinë me mua do t’i kishin arrestuar po njësoj si Artimisin, pra për “qejf”.
Ky është rrumpallështeti i Edi Ramës, që nuk do ta ketë të gjatë.
Sikur të silleshin kështu me bandat narkopolicët e Edi Ramës nuk do ndodhnin tragjedi si kjo e Shkodrës.
Si ishte eksperienca juaj me burgun?
E njoh burgun herët, që nga vitet ’93-’94 kur vizitoja Fatos Nanon në burgun e Bënçës edhe pa leje edhe me leje.
Po kështu nuk ndjehem i burgosur, por thjesht i izoluar në mënyrë ekstreme dhe të paligjshme vetëm për arsye shumë të forta politike.
Së pari për të paralizuar aktivitetin e Partisë së Lirisë, si forca e dytë opozitare dhe për të dobësuar reagimin dhe veprimin opozitar.
Sepse s’kishte asnjë arsye për këtë akt ekstrem kur dihet botërisht se unë gjithmonë kam qenë i hapur dhe i jam përgjigjur ftesave të SPAK-ut dhe çdo institucioni të drejtësisë.
Po kështu unë i kam patur të gjitha mundësitë (edhe ofertat) për t’u larguar nga vendi dhe kjo jo vetëm s’ka ndodhur por s’ka lidhje me karakterin tim, për më shumë që do justifikoja akuzat false të Ramaformës dhe do braktisja ata që më kanë zgjedhur dhe më mbështesin.
Llogaritë e tyre për të më bllokuar e “lodhur” gjatë 10 muajve të fundit nuk funksionuan. As përpjekja e tyre për të prishur Konventën historike të 27 Prillit që miratoi 5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus.
Dështuan edhe përpjekjet e mëpasshme për të bllokuar organizimin e Partisë së Lirisë dhe veprimtarinë e saj financiare, aq sa financierja e PL për 20 vite u largua nga detyra vetëm duke lënë çelësat te roja i Partisë dhe pa bërë asnjë dorëzim detyre e sqarim të problemeve të trashëguara.
Por zgjedhjet po afrojnë dhe koha nuk u priste më ndaj vepruan në këtë mënyrë banditeske.
Duan të çorodisin e trembin opozitën e vërtetë dhe të krijojnë hapësira për partiçkat fake opozitare, që ushqehen nga regjimi, nga Qeveria, bashkia dhe fondacionet famëkeqe të rekrutimit dhe shplarjes së mendjes të të rinjve.
Pra ju akuzoni se SPAK çdo gjë e bën në interesin e Ramës për të fituar zgjedhjet?
Afërmendsh që po.
A nuk ishte SPAK që e hoqi nga vetja “Dosjen 184” të Dibrës të cilën e mori vesh e gjithë bota se si Edi Rama dhe ministrant e tij blinin votat?
A nuk ishte SPAK në zgjedhjet e 2021, që denoncimet e opozitës për blerjet e manipulimet që po bëheshin në Elbasan nga zyrtarët e lartë të PS nuk i hetoi, por ia kaloi për kompetencë Prokurorisë së Elbasanit, që ishte në konflikt interesi sepse vëllai i prokurorit ishte në listën e PS për deputet?
Dhe më pas ndodhi edhe tragjedia e Elbasanit.
Apo harruat se sin ë vend të hetonte Qeverinë dhe AKSH për keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve nga patronazhistët, SPAK hetoi dy gazetarët që publikuan lajmin, aq sa organizatat ndërkombëtare të medias reaguan gjerësisht.
Edhe procedimi për “Metamorfozën” u bë vetëm pasi u grabitën zgjedhjet në Bashkinë e Shkodrës edhe pse dosja ishte aty prej kohësh dhe e servirur nga agjencitë ndërkombëtare.
SPAK vepron vetëm me regji të Edi Ramës dhe në interes të garantimit të pandëshkueshmërisë së tij.
Ndërkohë faktet dhe provat penale për Edi Ramën ulërasin prej vitesh, që nga inceneratori që nuk ekziston dhe quhet “krim intelektual” që tek kompania që përfiton bonus nga Qeveria ende pa qenë e regjistruar dhe raste pa fund që opozita i ka denoncuar vazhdimisht.
Po për akuzat e SPAK-ut ndaj jush ç’mund të thoni?
Për fletërrufenë 165 faqe të SPAK-ut kundër meje mund të them me bindje të plotë se nuk ekziston asnjë fakt apo provë penale, por vetëm një tablo sinoptike “fake” e mbushur me thashetheme dhe insinuate nga njerëz që kanë patur probleme me drejtësinë, si rasti i atij kallëzuesit të Fredi Belerit, që ishte një bashkëpunëtor i policisë.
Nuk ekziston asnjë akt, asnjë vendim, asnjë veprim në kundërshtim me ligjin nga Ilir Meta dhe detyrimisht asnjë pasojë në dëm të interesit publik e shtetëror.
Për çështjen CEZ-DIA që është e para e renditur nga Prokuroria ç’mund të thoni?
Këtë çështje e kam ezauruar në publik prej gati 10 vitesh. Ajo është hetuar disa herë dhe Dumani me zell të madh e ka rimarrë përsipër në dhjetor 2019, pra në kulmin e përplasjeve të mia si President i Republikës me Edi Ramën dhe McGonigalët që donin të rrëmbenin tërësisht Gjykatën Kushtetuese me betime si ajo noterja te Lana.
Ai e ka marrë përsipër në këmbim të premtimit se do bënte karrierë.
Për më shumë se 4 vite erdhi vërdallë intervistave të inskenuara nga Dritan Prifti me personazhe absurd dhe pa asnjë integritet. Shumica e tyre kishin problem me drejtësinë si Elvis Mataj, i cili ka qenë krahu i djathtë i Kastriot Ismailit në DIA dhe i denoncuar nga ky i fundit në Prokurori për mashtrim e vjedhje.
“Rilindja” ia mbylli këtë çështje për ta përdorur në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit.
Plus kësaj i mbylli edhe problemet që kishte me drejtësinë bashkëshortja e tij.
Këtë personazh se kam takuar kurrë që nga viti 2005 kur të rinjtë e LRI e përzunë si mashtrues dhe intimidues femrash.
Ndërsa nga intervista e sajuar e Vojsava Ismailit, të cilën e refuzova ta takoja si Kryetar Parlamenti dhe për këtë kam njoftuar Prokurorinë e Tiranës në 2016, kanë vendosur në fletërrufe shpikjet që asaj i kanë servirur, por nuk i kanë vënë të vetmen të vërtetë që ajo ka thënë ndoshta pa dashje se “Kastrioti lidhjet me CEZ-in i kishte krijuar vetë dhe jo nga politikanët shqiptarë”.
Dhe këtë të vërtetë SPAK-u e di shumë mirë se sa herë ka qenë Kastriot Ismaili në Çeki përpara shtatorit 2009 kur unë kalova nga opozita në Qeveri.
Ashtu siç SPAK i di shumë mirë lidhjet e partneres së tij amerikane në Çeki, etj.
Nuk ekziston asnjë akt favorizues nga ana ime për Kastriot Ismailin dhe asnjë përfitim prej tij.
Gjithçka është manipulim.
Unë njohjen dhe miqësinë me Kastriot Ismailin e kam deklaruar edhe në SPAK, që e kam patur që në fillim të viteve ’90.
Ai ishte partner zyrtar i CEZ-it dhe i përzgjedhuri i tyre.
Lidhur me spekulimin se unë gjoja kam ndërhyrë që ERE të ulë çmimin në dëm të KESH dhe favor të CEZ ky është një mashtrim i pacipë.
Së pari ERE është një ent i pavarur nga Qeveria dhe përjashtohet çdo ndikim dhe së dyti vendimi i ERE u kundërshtua nga ana jonë në të gjitha gjykatat si ministri nëpërmjet KESH-it që ishte në varësinë tonë.
Po lidhur me akuzën për lobingjet?
Me bindje të plotë konfirmoj se çdo veprim apo autorizim nga ana ime ka qenë në përputhje me ligjet shqiptare dhe amerikane.
Madje kur kam konstatuar në Janar 2017 se një avokat greko-amerikan, Fideszis, kishte firmosur në emër të LSI me kompaninë McKeon e kam denoncuar te Presidenti i kompanisë duke i bërë të qartë se ai s’kishte patur autorizim nga ne për të firmosur dhe së dyti kishte vendosur si terma bashkëpunimi çështje që ne nuk na interesonin.
Pas këtij denoncimi, Presidenti i McKeon i bëri letër zyrtare FARA (Departamenti i Drejtësisë) ku i kërkonte zëvendësimin e asaj marrëveshjeje për arsye se personi s’kishte qenë i autorizuar nga LSI.
Po kështu pagesa prej 15.000 USD si parapagim për negociata për një marrëveshje të mundshme, që nuk u finalizua është bërë me vendim të Kryesisë të LSI e përmes sistemit banker.
SPAK e di shumë mirë se nëse ka diferenca midis pagesave të deklaruara nga LSI në KQZ dhe atyre që kanë deklaruar kompanitë e lobimit në FARA (Departamenti i Drejtësisë), se kush i ka bërë dhe si i ka bërë por nuk i intereson ta zbardhë si çështje sepse objektivi i vetëm i kësaj organizate policeske antiopozitë është të krijojë sa më shumë mjegull dhe tymnajë për Ilir Metën, ndërkohë që unë kurrë nuk kam autorizuar njeri për të bërë pagesa të parregullta dhe as kam qenë në dijeninë e tyre.
Po lidhur me ndërhyrjen tuaj të pretenduar nga SPAK për të ndryshuar një ligj në interes të një biznesmeni?
Ky është një trillim i SPAK, pasi dihet procedura e ligjbërjes në Kuvend si fillon dhe mbaron dhe unë s’kam asnjë lidhje me këtë rast.
Kryetari i Kuvendit është vetëm një deputet në votim si gjithë të tjerët. Po për 65 deputetët e Edi Ramës që e kanë votuar këtë ndryshim ç’do të thoshte SPAK?
Të paktën të përfshinte në akuzë edhe Edi Ramën si bashkëpunëtorin tim në këtë rast.
Por SPAK as emrin s’guxon t’ia përmendë Edi Ramës, as te ndryshimi i destinacionit të Klubit Partizani për të cilin mbahet prej Prof.Dr. Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, as te inceneratori e asgjëkundi.
Z.Meta si i mbani lidhjet me Partinë e Lirisë dhe cila është perspektiva?
Izolimi im është shumë i thellë dhe kuptohet kjo bëhet për të më pamundësuar mbrojtjen nga akuzat e turpshme të SPAK-ut, por edhe për të dëmtuar aktivitetin tim politik dhe të Partisë së Lirisë.
Jam shumë i kënaqur me solidaritetin e kolegëve dhe miqve anembanë vendit.
Unë u kërkoj të gjithëve të trefishojnë përpjekjet e tyre në publik dhe terren, të përshkallëzojnë veprimin opozitar, të mos ndalen së afirmuari 5 Prioritetet tona që janë kyçe për të kaluar nga Narkoshtet te shteti i së drejtës dhe nga Narkoekonomia tek Shqipëria fuqi eksportuese përmes mbështetjes së prodhimit vendas, të bujqësisë e blegtorisë me pagesa direkte, të industrisë dhe sidomos të mbështetjes për kompanitë eksportuese.
Jam çdo ditë në lidhje me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe drejtues të tjerë kryesorë dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer pë rata që të rriten dhe forcohen në kushtet e një lufte të pamëshirshme, pa rregulla, pa moral, por që ne do ta Fitojmë.