Foto Dehran Muratov, CIVIL
Së fundmi Almakos ka realizuar një intervistë me Naser Nuredinin, Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga radhët e BDI-së. Me të kemi biseduar për çështje të ndryshme politike, por edhe në atë të rrafshit personal. Më poshtë e gjeni intervistën e plotë.
Intervistoi: Emad Mehmeti
Almakos: Zotëri Nuredini jeni nga të vetmit mërgimtar që jeni kthyer ne vendlindjen tuaj për të kontribuuar, çka ju shtyu të ndërrmerni një veprim të tillë?
Nuredini: Mendoj që nuk jam i vetmi, ka shumë shembuj të personave të suksesshëm që janë kthyer në vendin tonë, kanë investuar, madje edhe kanë krijuar vende të reja pune. Gjithsesi, rasti im është më i dukshëm për shkak të natyrës së punës dhe funksionit tim publik. Dua të theksoj që këtë vendim për tu kthyer e solla në dakordim me familjen time, sepse nënkuptohej që do të më duhej të jetoja larg tyre. Megjithatë, është nder dhe privilegj që më jepet mundësia të përfaqësoj vendim tim dhe të kontribuoj, ashtu siç ka bërë familja ime gjithmonë.
Për mua është e qartë që standardi i jetesës këtu nuk është në shkallë të lartë, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të dorzohemi, përkundrazi, ky është vendi ynë dhe ne të gjithë duhet të pëpiqemi ta përmirsojmë atë. Kjo mund të arrihet në qoftë se ne punojmë së bashku dhe lëmë menjëanë politikën, sidomos kur bëhet fjalë për infrastrukturën e vendit tonë dhe krijimin e një ambienti të pastër për familjet tona.
Almakos: Po çfarë do ju thoshi mërgimtarëve të tjerë, të cilët edhe pse kanë ide dhe qëllime për investime të ndryshme, sikur janë skeptik të kthehen në vendin e tyre të lindjes për të ndërmarë çfarëdo iniciative progresive?
Nuredini: Siç e përmenda më parë, tashmë ka persona që kthehen dhe investojnë në vendin tonë, por kjo nuk është e majftueshme. Duhet të jemi më të zëshëm dhe më të qartë për faktin se politika, në të vertetë, nuk luan rol në tërheqjen e qytetarëve dhe të rinjve që të kthehen në vendin e tyre dhe të investojnë. Ne duhet ti bëjmë të njohura mundësitë që ia ofron shteti ynë diasporës, me fjalë të tjera, që shteti ofron subvencione për të ndihmuar fillimin e bizneseve. Megjithatë, më e rëndësishme për të gjithë ne është të drejtojmë fokusin në përforcimin e këtyre tre shtyllave: sistemit shëndetësor, sistemit arsimor që t’ju mundësoj femijëve tanë të konkurrojnë ndërkombëtarisht dhe infrastrukturës e cila mundëson krijimin e një ambienti të pastër dhe të shëndetshëm. Sa i përket infrastrukturës, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rregullimin dhe ndërtimin e rrugëve, por edhe për investim në impiante për trajtimin e ujrave të zeza, në rrjetet e ujrave të zeza, në deponi me standarde ndërkombëtare dhe në sisteme për grumbullimin e mbeturinave. Investime këto, të cilat do të zgjedhin problemin e deponimit të paligjshëm të mbeturinave. Shumë prej këtyre pikave të lartpërmendura janë në proces të zbatimit dhe nëse nuk ka pengesa apo kriza të paparashikuara, jam i sigurtë që brenda 2 deri në 4 vitet e ardhshme, do të jenë plotësisht të ndërtuara dhe funksionale, natyrisht në varësi të madhësisë së infrastrukturës.
Deri diku edhe e kuptoj qëndrimin skeptik të mërgimtarëve, megjithatë, ne tani më kemi filluar bisedimet me Bashimin Europian (BE) dhe ky fakt duhet të shërbej si një garanci që ne jemi nën mbikëqyrje të BE-së dhe skemi zgjidhje tjetër veçse të respektojmë vlerat dhe standarded e tyre.
Almakos: Meqë vetë jeni mërgimtarë, a keni bërë ndonjë plan konkret për të sjellë edhe të rinj të tjerë në vendlindje – me ide inovative që do sillnin frymë të re në shtetin tonë edhe drejt rrugëtimit tonë euro-atlantik?
Nuredini: Mënyra e vetme për të arritur këtë qëllim është të krijojmë standard më të lart të jetesës dhe të zvogëlojmë burokracinë. Për ti kthyer të rinjtë në vendin e tyre dhe për të përfituar prej përvojës dhe ekspertizës së tyre duhet të ofrojmë process sa më të hapur dhe transparent. Sektori privat duhet të mbështetet plotësisht si dhe të depolitizohet. Poashtu, punëdhënësit duhet që të regjistrojnë dhe ti trajtojnë punonjësit sipas ligjit. Sa i përket aspektit të mjedisit jetësor, ajo që unë dua të theksoj dhe të promovoj te të rinjtë është që përderisa ne krijojmë zonat e mbrojtura dhe parqet nacionale që sigurojnë një mjedis jetësor të shëndetshëm, në të njetën kohë ofrohen mundësi të qëndrueshme ekonomike për menaxhimin e këtyre zonave.
Almakos: T’i rikthehemi aktualitetit, me cilat projekte mund të mburreni se i keni realizuar këtë vit?
Nuredini: Edhe pse edhe një herë na është dashur të fokusohemi më shumë në një krizë tjetër dhe në mënyrën se si mund t’i mbështesim qytetarët tanë që po e kalojnë një kohë të vështirë përballë rritjes së çmimeve të energjisë dhe kostos së jetesës, ne kemi vazhduar me parapërgatitjet për implementim të projekteve madhore. Fakti që kemi arritur të sigurojmë mjete financiare për shumë projekte është një hap i madh prosperiteti për vendin tonë. Duke konsideruar që në të kaluarën ka pasur vetëm analiza dhe studime të shumta të cilat kurrë nuk morën asnjëlloj mbështetje financiare.
Investimet në projektet për ujë të pijshëm, si ato në Likovë, janë të një rëndësie të madhe, po aq sa të tjerat që kemi bërë në mbarë shtetin. Pastaj, do të kisha theksuar këtu edhe fillimin e investimit në rrjetet e kanalizimit në komunat rurale. Duke përmendur përfundimin e investimit të kanalizimit të Kërçovës përmes fondeve të IPA-s; fillimin e procedurës së tenderit për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza dhe rrejtin e kanalizimit në Manastir; bashkëpunimin me komunën e Tetovës, për përfundimin e dokumentacioneve për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza dhe rrjetin e ujërave të zeza; dhe përfundimin e dokumentacionit për deponitë rajonale për rajonin lindor dhe verilindor.
E di që gjithë këto dokumentacione dhe letra zyrtare mund të tingëllojnë si shumë, por pa plotësuar këto dokumente ashtu siç kërkohet nga BE-ja ne nuk mund të shfrytëzojmë fondet që ofrohen nga IPA instrumenti. Për të arritur këtë qëllim, nevojitet bashkëpunim i ngushtë mes neve dhe komunave përkatëse. Ndër të tjera projekte për të cilën jam krenar është Parku Nacional i Malit Sharr që po formohet ngadalë dhe po bëhet funksional. Gjithsesi, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se për të arritur shkallën ku çdo gjë rrjedh ashtu siç kemi për qëllim, do të duhen të kalojnë disa vite. Puna jonë e palodhur tashmë ka filluar të krijojë menaxhimin e duhur për të mbështetur qytetarët në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Legjislacioni që kemi shkruar këtë vit është i një rëndësie të madhe, duke përmendur këtu ndryshimin e ligjit për mjedisin jetësor, e cila na detyron të identifikojmë të gjitha pikat e nxehta historike të vendit, siç është OHIS, për të filluar pastrimin e tyre. Pastaj, ligji për inspektim në mjedis jetësor, si dhe finalizimi i ligjeve për ujin, ndryshimet klimatike, mbrojtjen e natyrës dhe emetimet industriale, do të na ndihmojnë të arrijmë standardin që na nevojitet për t’u bërë përfundimisht anëtarë të BE-së.
Almakos: Kur pritet të filloj realizimi i investimit strategjik në qendrën e skijimit Kodra e Diellit, nga kompania e njohur evropiane nga Tiroli i Jugut, TechnoAlpin? Dhe çka do të thotë ky investim për Tetovën dhe RMV-në në përgjithësi?
Nuredini: Meqë jemi në fazën përfundimtare të negociatave me investitorin strategjik, ka edhe disa obligime të cilat duhen kryer, shembull i tillë është financimi i Gondolës nga Tetova deri në qendrën e skijimit, sepse pa mos e zgjedhur këtë çështje, projekti nuk mund jetë funksional. Shpresoj që deri në fund të muajit mars ta kemi gati marrëveshjen dhe pastaj të dërgojmë ligjin në kuvend për votim. Synohet që investimet të fillojnë këtë vit që rezlutatet të mund të shihen në sezonin e vitit të ardhshëm. Është e rëndësishme të theksoj që unë së bashku me një grup pune, përpara se t’u jepnim investitorëve statusin e investitorit strategjik, kemi kërkuar prej tyre që të paraqesin një plan të zbatueshëm biznesi dhe financimi. Si rrjedhim, ata jo vetëm që treguan profesionalizmin dhe përkushtimin, madje puna e tyre na siguroi se janë partner serioz për vendin tonë. Kodra e Diellit mund të luajë një rol të madh për Tetovën dhe shtetin në tërësi, pasi që është një vend historikisht i njohur dhe i vizitar nga turistë, por, për fat të keq ne si shtet nuk kemi pasur kapacitete për ta menaxhuar dhe për të investuar në të. Gjithsesi, këto këto dy vitet e fundit kanë dëshmuar se me përkushtim mund gjithçka të përmirësohet. Si përfundim, ne besojmë se një kompani, si kjo e lartëpërmendura, e cila posedon kapacitet financiar por edhe përvojë pune, do të jetë çelësi për zhvillimin e këtij resorti.
Almakos: Cilat projekte i keni planifikuar për vitin 2023?
Nuredini: Puna dhe përpjekjet që kanë bërë ekipi im dhe ministria gjatë viteve të fundit, pavarësisht se jemi sprovuar me kriza në shëndetësi, ekonomi dhe krizë energjetike, do të fillojnë të japin rezlutat vitin e ardhshëm. A jemi vonuar, Po, megjithatë këto vonesa kanë ndodhur vetëm për shkak të krizave të lartpërmendura.
Synimet e mia për vitin 2023 janë që të fillojë ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza për Shkupin, që është projekti më i madh mjedisor në vendin tonë. Të fillojë ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe rrjeteve të kanalizimit në Manastir dhe Tetovë, si dhe në Kërçovë. Nga financimi që kemi siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, instrumenti IPA dhe shteti Zviceran, synoj që të fillohet përfundimisht me ndërtimin e deponive rajonale në të gjithë shtetin. Këtu përfshihet edhe blerja e kamionëve dhe kontejnerëve për të gjitha komunat dhe kontejnerë të mbeturinave ku qytetarët të kenë mundësinë të selektojnë mbeturinat. Përveç kësaj, nëse evaluimi për marrëveshjen me Çebrenin përfundon, atëherë do të nënshkruhet edhe shtylla kryesore e tranzicionit tonë të energjisë nga përdorimi i qymyrit dhe karburanteve të tjera fosile për prodhim të energjisë elektrike.
Almakos: Jemi në prag të festave të fundvitit, çka ju thoni me këtë rast qytetarëve të RMV?
Nuredini: Unë ju uroj të gjithëve së pari shëndet dhe shumë fat për Vitin e Ri, e me këto të dyja bashkë, me punë e me bashkëpunim mund të arrijmë çdo gjë tjetër. Besoj fuqishëm që, nëse secili prej nesh kontribuon individualisht, atëherë ne si kolektiv do të arrijmë standardet më të larta të jetesës, ashtu siç dëshirojmë ti kemi të gjithë.