Alsat 2019-04-19T15:22:17+02:00
Nga viti në vit po humbet interesimi për shumë drejtime profesionale në arsimin e mesëm. Mes faktorëve që nënvizojnë përfaqësuesit e shkollave të mesme është ulja e numrit të nxënësve në ciklin fillore dhe shpërngulja drejt shteteve perëndimore. Për të nxitur nxënësit drejt edukimit profesional, shkolla e mesme “Dimitar Vllahov” organizoi ditë të hapur dhe promovoi drejtimet që këtë vit janë paraparë me konkurs si: shërbime profesionale, drejtimi i grafikës dhe profesione kimike-teknologjike me arsim tre dhe katër vjeçar.
Për drejtimin e grafikës çdo herë nga pala shqiptare është shfaqur më pak interes. Mirëpo, çdo herë në konkurs ekziston si paralele edhe besoj që edhe nëse nuk ka të regjistruar edhe sivjet, në të ardhmen do të ketë sërish konkurs për drejtimin e grafikës. Mendoj që te popullata shqiptare drejtimi i grafikës dhe drejtimi kimiko teknologjik është deficitar – u shpreh Xhejlan Aliji, Sh.M.Q “Dimitar Vllahov”.
Më tërheqëse janë shërbimet personale për shkak se mund të punojnë në sallone të bukurisë, ti bëjnë të lumtur njerëzit, poashtu edhe në drejtimet e grafikës që tani janë shumë aktuale, edhe në këto drejtime. Më pak nxënës kishim për shkollimin tre vjeçar, përpunues të mishit dhe përpunues të qumështit, shpresoj që këtë vit nuk lihen anash – deklaroi Tanja Ristevska, profesore.
Disa nga nxënësit që sot vizituan hapësirat e shkollës tashmë kishin vendosur të bëhen nxënës të ardhshëm të kësaj shkolle profesionale. Ndërsa ata që po e përmbyllin shkollimin këtu apelojnë që nxënësit të regjistrohen në shkollat profesionale.
“Do të regjistrohem këtu, në Dimitar Vllahov për parukiere. Kjo më intereson dhe këtë dëshiroj ta punojë pas përfundimit të shkollës së mesme”.
“Apeloj që edhe nxënësit tjerë të zgjedhin drejtimet profesionale. Më kanë arritur shumë oferta për punë, për drejtimin që e kam, kozmetikë dhe jam e kënaqur që kam ardhur në këtë shkollë”.
“Mundësia është shumë mirë, mësojmë edhe teorinë dhe praktikën”.
“Kam arrit gjithçka, kam oferta për punë, punoj. Është një mundësi shumë e mirë se punë ke çdo herë”.
Nga Oda Ekonomike vazhdimisht apelojnë që filloristët të orientohen në drejtimet profesionale pasi shumë kompani po përballen me mungesë të kuadrit në profile të ndryshme. Afati i parë për regjistrim në shkolla të mesme është paraparë të mbahet më 17 dhe 18 qershor ndërsa rezultatet do të shpallen më 19 qershor.
Melihate Rustemi
Loading…