Po vazhdon sot regjistrimi në pjesën e dytë të afatit të parë nëpër shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2017/2018. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë informuar se në paraqitjen e dytë ka vende të lira për 24.529 nxënës nëpër shkollat e mesme publike në gjithë komunat në Republikën e Maqedonisë, prej tyre për mësim në gjuhën shqipe ka 7.455 vende të lira, për në gjuhën maqedonase 16.118 vende të lira, për në gjuhën turke ka 819, ndërsa për gjuhën serbe janë të lira 34 vende dhe 103 vende të lira për përsëritës.
Ndërkaq, drejtori i gjimnazit “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri tha se edhe në këtë afat regjistrimi, interesimi në këtë shkollë është shumë i madh, ndërsa gjithsej janë të rezervuara 220 vende për nxënësit e rinj. Po ashtu, ai njoftoi se meqenëse afatin e kaluar kanë refuzuar diku 200 nxënës për shkak të mos përmbushjes se kushteve për regjistrim dhe nëse edhe këtë afat numri i planifikuar i nxënësve nuk përmbushet, ata do të bëjnë kërkesë tek Ministria e Arsimit që për afatin e ardhshëm ta ulin kriteriumin me qëllim që vendet e lira që ka kjo shkollë të plotësohen.
“Sot në shkollën e mesme ‘Zef Lush Marku’ është paraqitja e dytë e afatit të parë. Fluksi deri këto momente i kemi diku 150 nxënës të cilët kanë konkurruar, do t’i shohim rezultatet, pas rezultateve që nesër do të dalin, minimumin për të pranuar në shkollën e mesme duhet të ketë 60 pikë një kandidat”.
Ndërkohë, drejtori i shkollës profesionale “Cvetan Dimov”, Besnik Ajeti, tha se kjo shkollë ka gjithsej 350 vende të lira, prandaj Ajeti bëri thirrje që nxënësit të vijnë dhe t’i plotësojnë këto vende pasi kjo shkollë përveç drejtimit ekonomik tashmë prej 3 vitesh ka hapur edhe paralelet e mjekësisë.
“Deri në këtë moment të paraqitur janë te paralelet ekonomike kemi diku 100 nxënës, në paralelet e mjeksisë janë diku 70 nxënës. 12 paralele të cilat ne i kemi i planifikuar me konkurs prej ministrisë janë të hapura diku 408 vende të lira, prej tyre në afatin e parë 60 nxënës, kurse tani në afatin e dytë janë të lira edhe për 350 nxënës”.
Rezultatet për regjistrimin e nxënësve do të publikohen ditën e nesërme, më 6 korrik. Më 24 gusht do të vijojë edhe afati i dytë për regjistrim, ndërsa shkollat të cilat edhe në të dy afatet nuk do t’i plotësojnë vendet e lira, do të regjistrojnë nxënës deri më 31 gusht. Në afatin e parë të paraqitjes në qershor, të realizuar në datat 28 dhe 29 të muajit të kaluar, nga 17.179 nxënës konkurrentë, janë pranuar 11.205 nxënës.
Emine Ismaili /SHENJA/

