Alsat 2019-08-07T15:35:15+02:00
Ndërsa Gjykata dhe Prokuroria kërkojnë mendime nga njëra tjetra për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi, Tomor Morina vazhdon të qëndrojë prapa grilave në Maqedoni, edhe pse paraprakisht ka lëvizur pa asnjë problem nëpër thuajse të gjitha shtetet evropiane. Prokuroria Publike dje ka pranuar kërkesën nga gjykata penale, për të dhënë mendim në lidhje me ekstradimin e Morinës. Të kontaktuar nga Alsat, Prokuroria nuk jep detaje se kur pritet që të prononcohet lidhur me kërkesën e Beogradit.
Prokurori publik kompetent do të jep qëndrimin menjëherë pas shqyrtimit të dosjeve të lëndës. Dokumentet dhe mendimi nga prokurori kompetent publik, gjykatësi i procedurës paraprake i dorëzon në Këshillin e Gjykatës i cili me vendim vërteton se a janë përmbushur supozimet ligjore për ekstradim – thonë nga Prokuroria Publike.
Detaje nuk zbardhin as nga Gjykata Penale. Juristi Fadil Xhelili thotë se institucionet vendase me urgjencë duhet të veprojnë në raste të tilla të ekstradimit. Sipas tij, vendimet jo adekuate të organeve të drejtësisë së Maqedonisë, mund të irritojnë Prishtinën zyrtare, duke çuar në ftohjen e marrëdhënieve diplomatike.
Procedura për ekstradimin e Tomor Morinës, mund të thuhet se është duke u stërzgjatur duke pasur parasysh edhe elementin politik që e ka në vete dhe ndikimin eventual të politikës. Ministria e Drejtësisë dhe gjykatave duhet të përfillin afatet dhe duhet në mënyrë sa më të shpejtë t’i kryejnë të gjitha procedurat e parapara sepse si procedurë është me prioritet apo me urgjencë në veprimet e organeve kompetente. 01-32 Dimensioni politik i këtyre procedurave nuk mund të anashkalohet. Unë nuk besoj se Maqedonia do të merr një vendim për ta ekstraduar sepse me siguri do të ndikonte dukshëm në ftohjen e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve fqinje – u shpreh Fadil Xhelili, jurist.
Morina për më shumë se dy javë po qëndron në paraburgim, ndërsa ishte arrestuar nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Morina ka shtetësi të dyfishtë, atë të Britanisë së Madhe dhe shtetësi të Kosovës. Morina akuzohet nga Serbia për “krime lufte” gjatë konfliktit në Kosovë.
Besian Leka
Loading…



