Inflacioni në Maqedoninë e Veriut në tremujorin e parë të vitit 2022 ka arritur në 7.7 për qind, por drejtuesit e Bankës Popullore dhe të Ministrisë së Financave presin përkeqësim të mëtejmë të parametrave ekonomikë, që mund të çojnë në inflacion edhe më të lartë deri në fund të vitit.
Në këtë, sipas tyre, ka ndikuar kriza globale si pasojë e luftës në Ukrainë, që më së shumti ka goditur burimet e energjisë, pastaj bujqësinë duke çuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut thonë se prioritet mbetet ruajtja e stabilitetit monetar dhe e çmimeve të produkteve ushqimore.
“Inflacioni vazhdon të rritet, madje, me ritme të shpejta. Në tremujorin e parë ka arritur në 7.7 për qind, ndërsa deri në fund të vitit pritet të arrijë në 8.8 për qind, apo edhe më shumë. Kjo më së shumti u dedikohet çmimeve të ushqimeve dhe të burimeve të energjisë. Ne si Bankë Qendrore kemi ndërmarrë masa në drejtim të stabilizimit të inflacionit përmes ruajtjes së stabilitetit monetar dhe çmimeve me qëllim të sigurimit të një qëndrueshmërie ekonomike”, ka deklaruar guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhovska.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se bazuar në zhvillimet e tanishme ekonomike gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë. Ai ka paralajmëruar marrjen e një borxhi prej së paku 600 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si mbështetje për buxhetin.
“Ne përballemi edhe me sfida apo me shenjat e para të stagflacionit që nënkupton rritje të inflacionit dhe rënie të prodhimtarisë. Të gjithë treguesit ekonomikë lëvizin në drejtim jo të duhur. Ne kemi ndërmarrë masa për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët në vlerën e 400 milionë eurove dhe mbi 1.1 miliard euro gjatë pandemisë”.
“Masat që po ndërmarrin kanë të bëjnë me dizajnimin e masave më urgjente dhe ato që mund të presin. Me rishikimin e buxhetit mjetet do të destinohen vetëm për nevojat më elementare, ndërsa parashikojmë marrjen edhe të një kredie nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në mbështetje të buxhetit me një kamatë prej 1 për qind”, deklaron Besimi.
Arben Halili, ekspert i çështjeve ekonomike dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se Qeveria ka ndërmarrë disa masa për mbrojtjen e qytetarëve, por gjendja, sipas tij, mund të përkeqësohet edhe më shumë kur të hiqet masa që ndalon rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, pas çka, sipas tij, mund të pritet valë e re e shtrenjtimeve.
“Ishte një masë e mirë në interes të qytetarëve, por në anën tjetër ishte në dëm të kompanive për shkak se bënin furnizime me kosto më të lartë, por që duhej ta bënin për shkak të masave të Qeverisë që t’i shisnin me çmim më të ulët. Por, në momentin që do të përfundojë kjo masë e Qeverisë, qytetarët do të ballafaqohen me çmimin real si rezultat nëpër të cilin po kalon ekonomia e Maqedonisë dhe jo vetëm. Kjo tregon se nuk do të jenë të kursyera as produktet e konsumit të gjerë, pavarësisht se lënda e parë e tyre ka qenë më e lirë, çmimi i tyre në treg ka arritur dyfishin”, thotë Halili./REL



