10 October
Dy nxënësit e shkollës së mesme ekonomike të Gostivarit të cilët një ditë më parë u therën me thikë, të cilët po kurohen në Klinikën Torakale në Shkup janë jashtë rrezikut për jetën. Edhe nxënësi i tretë i therur me thikë që për kurim ndodhet në spitalin e Gostivarit është në gjendje të mirë shëndetësore.
Tek njëri prej të lënduarve është bërë një intervenim, konkretisht është vendosur një dren në pjesën e kraharorit, ndërsa tjetri po trajtohet në mënyrë konservative. Që të dy janë në gjendje të mirë – deklaroi Nexhati Jakupi, Drejtor i Klinikës Torakale.
Policia njofton për pistat e hetimit duke mos ndarë detaje për motivin dhe identifikimin e autorit. Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur as gjurmë e as mjete dhune.
Në orët e para të mëngjesit janë identifikuar 8 persona si të dyshuar për pjesëmarrje në incident. Pesë prej tyre janë nga Vrapçishti, tre të moshës së mitur dhe dy të rritur. Si dhe tre persona të moshës së mitur nga Çegrani – u shpreh Marijan Josifovski, Zëdhënës i SPB-së, Tetovë.
Dëshmitarët okularë për Alsat M deklaruan se personi i cili dyshohet për therjen e tre nxënëseve është nga Çegrani, nxënës në shkollën industriale të Gostivarit. Zënka e një ditë më parë në Gostivar la të lënduar tre persona. Dy prej tyre u sollën në Qendrën e Urgjencës Kirurgjikale në Shkup ndërsa njëri u ndal për kurim në spitalin e qytetit në Gostivar. Sipas dëshmitarëve, zënkën e kanë filluar persona të rritur të cilët nuk kanë qenë nxënës të shkollës. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e picerisë “Bini”.
Adrian Kerimi

