Një ngjarje e shëmtuar ka tronditur futbollin vendor sot në Prilep, gjatë ndeshjes së Ligës së Dytë mes Pobedës dhe Shkëndijës së Haraçinës. Ajo që duhej të ishte një përballje sportive u shndërrua në një skenë tensioni dhe urrejtjeje. Për gati gjithë ndeshjen, tifozët vendas nuk ndaluan me fyerjet në baza nacionale ndaj shqiptarëve, ndërsa në fund të takimit situata doli jashtë kontrollit, kur futbollistët e klubit nga Haraçina u sulmuan fizikisht.
Për këto ngjare kanë reaguar edhe drejtuesit e KF Shkëndijës nga Haraçina, të cilët përmes një deklarate zyrtare dënuan ashpër incidentet dhe kërkuan ndërhyrjen e institucioneve përkatëse.
“Skenat që u panë sot në stadiumin e Prilepit nuk i ngjajnë aspak futbollit dhe frymës sportive që ky sport duhet të përfaqësojë. Ajo çfarë ndodhi në tribuna dhe rreth fushës nuk janë pamje që duhet të shfaqen në një ndeshje futbolli.
Fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e shëmtuara nuk e ndihmojnë sportin – përkundrazi, ato e dëmtojnë imazhin e futbollit, klubit dhe vetë garës. Si klub, ne i dënojmë ashpër këto veprime të turpshme që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve tanë.
Ne kërkojmë nga Federata të ndërmarrë masat e duhura dhe të japë dënimet e merituara për organizatorët e kësaj ndeshjeje, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Futbolli është lojë që bashkon – jo që ndan”, thuhet në reagimin e KF Shkëndija Haraçinë.


