Analizë e vizitës së Kryetarit të PD, Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara
Globi u rrotullua. Pesë vjet më parë, kur Sali Berishës iu mbyll dera e Amerikës, arkitekti i heshtur i asaj fushate, Charles McGonigal, ishte shefi i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork. Sot McGonigal vuan dënimin në një qeli federale, i dënuar për konspiracion kundër vetë interesave amerikane. Berisha, në anën tjetër, u kthye në Amerikë si mysafir në takime me përfaqësues të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Kongresit dhe nga qarku i ngushtë i Presidentit Trump. Historia bëri drejtësinë e vet, edhe kur institucionet dështuan ta bënin në kohën e duhur.
Teksa Berisha u rikthye në Amerike, Edi Rama përndiqet nga tri hije që e ndjekin pas: hija e lidhjeve të pashpjeguara me ish-agjentin e dënuar; hija e narkoshtetit, që sot ndodhet në syrin e ciklonit të agjencive ligjzbatuese amerikane dhe të medias ndërkombëtare; dhe hija e axhendës së ekstremit të majtë, që në Shqipëri gjeti jo veç simpatizantë të rastit, por strehë brenda vetë shtetit.
Kjo ishte ora e së vërtetës, sepse qëllimi i vizitës së Sali Berishës në Amerikë ishte i qartë dhe një i vetëm: t’i shërbejë Shqipërisë, duke kërkuar ndihmën e nevojshme për çrrënjosjen e narkoshtetit dhe rikthimin e një demokracie të shëndetshme, ku sundon ligji dhe jo interesi i një klani. Siç e ka thënë vetë Presidenti Trump, narkotrafiku është një forcë me aftësi shkatërruese për vende të tëra. Korrupton institucione, blen zgjedhje dhe i shndërron shtetet në instrumente të krimit të organizuar.
Kjo është arsyeja pse lufta kundër karteleve është sot prioritet qendror i administratës amerikane, dhe pse ky prioritet pikëtakohet drejtpërdrejt me kërkesën tonë për një Shqipëri e çliruar nga kapja e narkos.
Çdo takim i Kryetarit Berisha në Amerikë kishte këtë qëllim të mirë. Bisedat me krerët e Departamentit të Drejtësisë, Todd Blanche dhe Stanley Woodward Jr., si dhe me Ed Martin, ngarkuar personalisht nga Presidenti Trump kundër përdorimit të drejtësisë si armë politike, ishin një sinjal i qartë se administrata amerikane e sheh rastin McGonigal-Rama si simptomë të një sëmundjeje më të gjerë. Atje ku drejtësia kthehet në instrument kundër kundërshtarëve, pushteti shndërrohet në monopol të një klani të vetëm.
Me Kongresmenin Joe Wilson, i cili e ka çuar këtë rrezik alarmant përtej fjalëve, duke u bërë autor i kërkesës për një hetim të thelluar e të shpejtë mbi lidhjet mes karteleve të drogës dhe qeverisë shqiptare, nismë që sot gëzon mbështetje bipartizane. Nuk bëhet më fjalë për një pretendim opozitar, siç e etiketonte deri dje pushteti, por për një çështje që tashmë trajtohet me seriozitet shtetëror në Uashington. Po aq domethënës është edhe fakti se institucionet e drejtësisë amerikane e kanë përfshirë tashmë Shqipërinë në takimet e tyre të koordinuara kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Ky operacion u vendos një detyrim shtesë institucioneve shqiptare, përtej llogaridhënies ndaj qytetarëve shqiptarë që presin prej kohësh drejtësi të vërtetë.
E njëjta linjë vazhdoi te takimi me Pete Sessions, kryetar i Nënkomisionit të Operacioneve Qeveritare, dhe me Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën, i cili propozoi si zgjidhje konkrete modelin e qeverisë kujdestare, sipas shembullit të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut, si rrugë për zgjedhje të lira, të çliruara nga sistemi shantazhues i patronazhit. Të njëjtat shqetësime u ndanë edhe në një rreth të gjerë republikan, Lance Gooden, anëtar i komiteteve të Drejtësisë dhe Sigurisë, Senatori James Lankford, kongresmenët Kevin Hern, Ken Paxton, Beth Van Duyne, Victoria Spartz, Brian Jack, Brandon Gill, Mike Rogers, Mehmet Oz, si dhe Ben Shapiro, një prej zërave më me peshë të lëvizjes konservatore amerikane.
Kjo ishte një dritare reale bashkëpunimi strategjik, që vjen paralelisht me një lëvizje më të gjerë brenda establishmentit amerikan për të frenuar përhapjen e axhendës së ekstremit të majtë, e cila në Shqipëri, nën mbrojtjen e pushtetit të sotëm, u vendos në mënyrën më brutale të mundshme.
Lajmi i mirë që solli kjo vizitë është se rrethi i mbrojtjes ndërkombëtare që dikur i shërbeu pushtetit ekskluziv të Ramës po copëtohet nën peshën e provave gjyqësore amerikane, ndërsa opozita shqiptare, e etiketuar dje si “e izoluar,” gjen sot bashkëbisedues zyrtarë në instancat më të larta të Uashingtonit për rrugën që duhet ta shërojë Shqipërinë.
Globi rrotullohet. Marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë po rikthehen në shtratin e tyre të natyrshëm, në shërbim të interesit më të mirë të të dy popujve.
The post Ilda Zhulali: Rikthimi; Një shpresë e re për Shqipërinë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



