Që prej datës 23 tetor, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndodhet në paraburgim tek “313”, pasi akuzohet për korrupsion pasiv, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash.
Në këtë burg, i cili po qëndron i vetëm, Metës i janë lejuar nga jashtë veshje e produkte ushqimore, të cilat janë sjellë nga anëtarë të familjes së tij.
“Më është konfirmuar nga burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve se zoti Meta qëndron i vetëm në qeli. Nuk ka asnjë person tjetër të dyshuar që do të qëndrojë.”, shprehet ajo.
Gazetarja Anila Hoxha, tregon se ish-Presidenti, ka pasur një kërkesë të veçantë për aq kohë sa qëndron i izoluar.
Sipas saj, Meta ka kërkuar ambient për aktivitet sportiv, saqë ka pyetur punonjësit blu nëse godina kishte palestër, në mënyrë që ai të merret me sport.
“Siç më bëjnë me dije burime shumë të sigurta, zoti Meta ka kërkuar ambient për aktivitet sportiv. Ka pyetur punonjësit e 313-tës nëse kishte apo jo palestër ku të bënte sport. Kjo ka qenë kërkesa e tij e parë drejtuar punonjësve të shërbimit social dhe psikologëve në sistemin e 313-tës.”, shprehet gazetarja.
Kjo kërkesa e Metës nuk vjen shumë e habitshme, pasi kohët e fundit, vetë kreu i PL-së shfaqej në palestër, apo aktivitete sportive në natyrë, qofshin ato ngjitje në mal, vrap, apo not. Meta në daljet e tij publike ka bërë shpesh herë thirrje që të rinjtë të merren me sport, si një mënyrë jetese e shëndetshme, e për këtë arsye nuk bën çudi përse ai ka kërkuar të palestrohet në ambientet e paraburgimit.
Sakaq, gazetarja konfirmon se në ambientet e burgut 313 ka hapësirë për ajrosje ashtu sikurse dhe atë të palestrës.
“Mbas kërkesës e pyetjes, nëse ka palestër apo jo, më është bërë me dije, se ka një ambient për palestër dhe gjithashtu ka një ambient ku konsiderohet si ambient për ajër.”, shprehet Hoxha.
Anila Hoxha: Përgjatë këtyre orëve, deri mëngjesin e sotëm, Ilir Meta është mbajtur në observim, që konsiderohet ndryshe si zona e tranzitimit.
Gjatë orëve të paradites, e kanë çuar, siç më bëjnë me dije burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, se Ilir Meta është dërguar në sektorin B, ka përfunduar fazën e observimit, ku është mbajtur në kontroll dhe në survejim nga psikologët. Gjithashtu janë bërë kontrolle mjekësorë, e menjëherë pasi ka përfunduar këtë fazë, ka marrë statusin e tij të paraburgosur.
Këto kontrolle kryen për çdo shtetas i cili mbahet në fazën e observimit , menjëherë pasi gjykata vendos dhe shpall masën “arrest në burg”
Më është konfirmuar nga burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve se zoti Meta qëndron i vetëm në qeli. Nuk ka asnjë person tjetër të dyshuar që do të qëndrojë.
Siç më bëjnë me dije burime shumë të sigurta, zoti Meta ka kërkuar ambient për aktivitet sportiv. Ka pyetur punonjësit e 313-tës nëse kishte apo jo palestër ku të bënte sport. Kjo ka qenë kërkesa e tij e parë drejtuar punonjësve të shërbimit social dhe psikologëve në sistemin e 313-tës.
Më është konfirmuar që pas vizitave mjekësore që janë rutinë, është konstatuar që Meta nuk vuan nga asnjë problem shëndetësor dhe këto të dhëna janë shkruar në kartelën e tij, sikurse dhe gjendja psikologjike, ku psikologët dhe punonjësit e shërbimit social kanë shënuar që gjendja e tij paraqitet e qetë.
Mbas kërkesës e pyetjes, nëse ka palestër apo jo, më është bërë me dije, se ka një ambient për palestër dhe gjithashtu ka një ambient ku konsiderohet si ambient për ajër.
Ditën e djeshme, institucionet e burgjeve, në qelinë që e kanë akomoduar në sektorin B, i kanë instaluar gjithashtu dhe një televizor, dhe këto janë pranuar veshje nga jashtë, të cilat i kanë sjellë anëtarë të familjes së tij. Gjithashtu janë pranuar dhe produkte ushqimore.
Psikologët kanë raportuar dhe kanë shkruar në kartelën e tij, se gjendja e të paraburgosurit, Ilir Meta paraqitet relativisht e qetë, por duhet thënë se në orët e para pas arrestimit të tij, pasi gjyqtari kishte vendosur masën “arrest në burg” që u ekzekutua dhe u vendos në fuqi nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit, Ilir Meta është shfaqur i nervozuar, qoftë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, por edhe kur u transportua nga këto ambiente në dhomat e bllokut të sigurisë.