Detaje të reja zbulohen nga ngjarja e rëndë ndaj 24 vjeçares, Klea Prenga, e cila u sulmua me shishe qelqi në fytyrë, teksa dyshohet se sulmi u krye nga ish-konkurrentja e Përputhen, Antonela Berisha dhe motra e saj, Mariela Berisha.
Fillimisht ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 6 gushtit në një restorant në kryeqytet, rreth orës 21:30.
Dyshohet se dy motrat Berisha e kanë goditur të renë 24 vjeçare me shishe në fytyrë duke i shkaktuar ccarje të thella e më pas janë larguar nga ambientet e restorantit.
Menjëherë më pas Klea Prenga është transportuar ne Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.
Uniformat blu kanë sekuestruar pamjet filmike në restorantin ku ndodhi ngjarja dhe i është marrë deklarata e 24 vjeçares e po kështu dhe personave të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen.
Sakaq, Antonela Berisha dhe Mariela Berisha janë shpallur në kërkim nga autoritetet vendase pasi dyshohen si autore të ngjarjes, teksa akuzohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, I dënueshëm nga 3 deri në 10 vite heqje lirie.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punojnë për lokalizimin e shtetaseve A. B., 28 vjeçe, dhe M. B., 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal.
Këty dy shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., 24 vjeçe.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Ngjarja e rëndë
Ka qenë blogerja Klea Prenga, e cila ka publikuar në profilin e saj në Instagram pamje të rënda të fytyrës së saj nga sulmi i kryer, teksa ka akuzuar motrat Berisha për atë vepër.
Në pamje shihet 24 vjeçarja e shpërfytyruar, me qepje dhe e mbuluar nga gjaku.
Në postim e reja shkruan se policia po heton ngjarjen, e po kështu ka publikuar një mesazh kërcenues që i ka ardhur asaj, nga një numër me prefiks italian që i ka shkruar “dhuratën e ke nga Mariela Berisha, jo Antonela Berisha”.
“Femra xheloze si puna juaj meritojnë të izolohen në një spital mendor, sepse as sulmet e juaja të dhunshme nuk do të mundin të më shkatërrojnë mua apo jetën time. Femra si puna juaj janë mësuar me jetën e rrugës dhe aq kapacitet keni sa të arrini në veprime të tilla jo njerëzore”, shkruan ajo ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë:
Të martën, rreth orës 21:30, teksa isha duke ngrënë qetësisht në një restorant në Tiranë, u përballa me një sulm të papritur dhe të dhunshëm. Dikush më goditi nga pas dhe më theu një gotë në fytyrë ndërsa po haja. Dëmtimet janë të rënda dhe kam shpëtuar për një qime. Tronditja e asaj nate është e paimagjinueshme.
Sulmi u krye nga Mariela Berisha dhe Antonela Berisha. As ato dhe askush tjetër nuk mund ta shkatërrojë fytyrën dhe imazhin tim. Më vjen keq për to, sepse e tyrja është e shkatërruar me kohë.
Nga anët tona as hasmi nuk goditet duke ngrënë. Po të ishe aq gangstere sa të duket vetja, do më kishe ardhur përballë. Sa për mesazhin kërcënues që ke dërguar pasi ke kryer sulmin. Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju qe ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyet në mes. Ti del e tregon përralla nëpër media për jetën tënde.
Femra xheloze si puna juaj meritojnë të izolohen në një spital mendor, sepse as sulmet e juaja të dhunshme nuk do të mundin të më shkatërrojnë mua apo jetën time. Femra si puna juaj janë mësuar me jetën e rrugës dhe aq kapacitet keni sa të arrini në veprime të tilla jo njerëzore.
Por mua nuk ma prishni dot identitetin dhe vlerat e mia sepse vij nga një familje me vlera dhe integritet dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë. Do jua çjerr maskën shumë shpejt. Regjistrimet e kamerave janë në dorën e shtetit dhe do të publikohen së shpejti.
Jam mirënjohëse që jam ende këtu dhe se nuk përfundoi më keq. Policia po heton ngjarjen, dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend. Ky sulm nuk do të më ndalojë; përkundrazi, do të më bëjë më të fortë dhe më të vendosur.