Koordinatori i LSDM në njësinë e tretë zgjedhore, Aco Velkovski, ka reaguar ndaj gjendjes ekonomike dhe sociale në vend, duke e vënë theksin veçanërisht te bujqësia dhe blegtoria.
Në një reagim të tij, Velkovski i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Hristijan Mickoski, duke kërkuar përgjigje për mënyrën se si po menaxhohen financat publike dhe rezultatet e borxheve të marra nga shteti.
“Kryeministër, bujqit janë në prag të ekzistencës! Ose ndihmoni, ose tërhiquni – pa cirk.”
Velkovski shprehet se qytetarët përballen me probleme themelore, ndërsa, sipas tij, gjendja në shëndetësi, arsim, bujqësi dhe blegtori është gjithnjë e më e rëndë.
Ai ironizon edhe pretendimet për përparim ekonomik, duke ngritur pyetjen se ku përfundojnë miliardat e huazuara nga shteti.
“Ku janë paratë? Ku janë rezultatet e atyre miliardave?”, pyet Velkovski.
Në fund, ai i drejton kryeministrit Mickoski një tjetër pyetje:
“Ku përfundon interesi privat dhe ku fillon interesi shtetëror?”
Velkovski përfundon se qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë po ndodh me shtetin, duke paralajmëruar se vendi, sipas tij, po zhytet “pa shpresë për jetë”.



