Shqiptari i cili dyshohet si i përfshirë në vrasjen e të riut grek është dorëzuar në Policinë e Korçës. Mësohet se Roxhers Demirazi është paraqitur në komisariat, ku pas procedurave pritet të ekstradohet në Greqi.
Më herë avokati i tij grek kishte deklaruar se Demirazi ka kërkuar që të dorëzohet. “Ai do të pranojë të vijë në Greqi për të dhënë shpjegime dhe në vendin tonë do të ketë një gjykim të drejtë”, ka thënë avokati, raporton Protothema.
Pas vrasjes së 19-vjeçarit Alkis Kampanos në Selanik, Demirazi u arratis në Shqipëri.
Ndërkohë, avokatët grekë kanë thënë në median greke se pas lëshimit të urdhrit ndërkombëtar për arrest është e pamundur që i riu të kthehet vetë në Greqi, të kalojë kufirin si çdo qytetar. Ndaj, edhe autoritetet greke i kanë sugjeruar të dorëzohet në autoritetet shqiptare, për të kryer procedurën në prokurorinë e zonës e në vijim të kryhet dhe ekstradimi në Greqi.



